I burgosuri politik, Isak Shabani, është arrestuar më 7 shkurt 1997, si pjesëtar i UÇK-së, në grupin me Nait Hasanin e të tjerët. Në një prononcim për Telegrafin, ai rrëfen vuajtjet dhe tmerret që ka përjetuar.
LEXO PO ASHTU:
Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
“Jam kidnapuar nga civilët e Policisë serbe. Kanë qenë diku gjashtë veta të cilët më morën e m’i lidhën sytë. Nuk e dija se ku po më dërgojnë, por vëreja se nuk po shkojmë shumë larg. Kur m’i hapën sytë, vërejta që isha në organet e sigurimit shtetëror. Më vendosën në një dhomë, për gjashtë ditë, ndërsa ligji i tyre thoshte që mos ta mbajnë aty askënd më shumë se tre ditë pa u dërguar tek gjyqtari hetues. Atëherë gjyqtare hetuese ka qenë Danica Marinkoviq”, ka thënë Shabani për Telegrafin.
NGA TORTURAT E HETUESISË SERBE, VDISNIN TË BURGOSURIT
Edhe pse i burgosur, atij nuk iu ndanë torturat – nga më shtazaraket.
“Pas gjashtë ditë mbajtjeje, më kanë torturuar me elektroshok, të zhveshur komplet. Pasi kam dhënë intervistë tek gjyqtarja hetuese, më kanë dërguar në Burgun e Prishtinës. Aty më kanë mbajtur për tetë muaj në vetmi. Torturat kanë qenë shtazarake. Aq të rënda ishin ato, sa që gjatë periudhës se hetuesisë kanë vdekur dy vetë: Besnik Restelica dhe Jonuz Zeneli. Frika ka qenë e madhe, mendonim që edhe ne do të vdesim nga torturat e tyre”.
Isak Shabani
Më vonë Shabani transferohet në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku “vizitë” bën edhe kryekrimineli serb, Zhelko Razhnatoviq – Arkani. Sipas Shabanit, Arkani donte t’i shihte “terroristët shqiptarë”, siç quheshin ata që luftonin për lirinë e vendit.
“Në grupin që jemi dënuar përmbi 10 vjet. Na kanë dërguar për shkaqe sigurie në Mitrovicën e Sremit, në Serbi. Atje ndërkohë kanë sjellë edhe të burgosur të tjerë. Edhe aty ishin shtazarake. Këto tortura i përjetonim nga gardianët dhe drejtori i burgut”.
Gjatë qëndrimit në burgun e Mitrovicës së Sremit, të burgosurit shqiptarë janë shtuar në numër. Më pas ata janë transferuar në Nish.
“Me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, në mars, na dërguan në Nish. Aty jemi takuar me shumë të burgosur të tjerë, përfshirë edhe ata të LKÇK-së. Në këtë burg ka qenë edhe profesori Ukshin Hoti”.
Sipas Shabanit, transferimi i radhës për në Dubravë të Kosovës ndodhi dy ditë më vonë.
“Na kanë kthyer në burgun e Dubravës më 28 mars. Në këtë burg i kanë sjellë të gjithë të burgosurit politikë, kudo ku ka pasë shqiptarë. Njëmijë të burgosur u bëmë në Dubravë. Aty ishte përgatitur një masakër, të cilën e quaj krim institucional, sepse burgjet kanë qenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë serbe të Drejtësisë, pra aty nuk ka mundur gjithkush të hyjë”.
Ishte pikërisht 19 maji ku do të forcat e NATO-s bombarduan burgun e Dubravës, duke lënë tre të vdekur e shumë të lënduar.
TË BURGOSURIT LUTESHIN: MOS NA LINI VETËM
“Bombardimi i parë i NATO-së ka qenë më 19 maj, mbi pavijonin C. Disa paramilitarë të veshur me uniforma, menjëherë kanë ikur. Më vonë e kanë bombarduar edhe pavijonin e zbrazët – në mes të pavijonit C dhe pavijonit B. Ndërkohë, disa persona të burgosur të tipit të lirë kanë ardhur dhe i kanë thyer grilat e burgut, me mjetet rrethanore që kanë pasur. Dy ditë ka bombarduar NATO, më 19 dhe 21 maj. Unë kam qenë në pavijonin B. Nga bombardimet e NATO-së vdiqën 25 deri në 30 të burgosur. Njërin të plagosur e kemi marrë dhe e kemi vendosur në një dyshek që ta ndihmonim. Por, vetëm kur pamë që të plagosurit i ra një pjesë e raketës dhe ia këputi kokën”.
Kur kanë dalë të burgosurit para ndërtesave të burgjeve, qëllimi ka qenë që të shihen rastësisht nga NATO që aty ka të burgosur.
“Pasi bombardimi u krye, menjëherë kemi menduar qysh me u dalë në ndihmë të plagosurve. Është një moment që s’do ta harroj asnjëherë: njëri e kishte këmbën e hequr dhe ka kërkuar ndihmë nga ne duke na thënë: ‘Mos na leni vet’. E ne nuk kishim si t’i ndihmonim”.
Ndihma ka qenë në forma të ndryshme. Fatmirësisht, aty ishin disa studentë të Mjekësisë, e ndër ta ke qenë edhe Bislim Zogaj – “epiqendra” e ndihmës ndaj të plagosurve.
“Ai kishte përvojë, sepse ka punuar në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas. Fatmirësisht, në Dubravë ka qenë edhe një ambulancë e burgut: e kemi hapë dhe kemi marr fasha dhe jod. Meqë fashat kanë qenë jo të mjaftueshme, kemi marrë çarçafët dhe fanellat duke i grisur. Jodi na ka shpëtuar më shumë, për shkak të mos ardhjes deri tek infeksionet e mëdha”.
Dita e zezë për të burgosurit ishte pikërisht mëngjesi i 22 majit, ku e gjetën vdekjen një pjesë e madhe e të burgosurve, e shumë të tjerë u lënduan me plagë të rënda.
“Më datë 22 maj, kinse për shkaqe sigurie e që të na numërojnë se sa veta jemi, na kanë nxjerrë në një fushë sporti duke kërkuar që të rreshtohemi. Në momentin që jemi mbledhur, nga shtëpitë vrojtuese dhe nga muret kanë filluar rafalët. Na kanë gjuajtur me armë nga më të ndryshmet. Paramilitarët që ishin mbrapa burgut veç i gjuanin bombat të cilat binin në mesin tonë. Aty na kapi paniku. S’dinim nga të shkonim. Kemi filluar të iknim nga të mundnim. Fatmirësisht, unë nuk jam lënduar. Aty kanë mbetur të vrarë diku 170 persona, kurse 300 të tjerë janë plagosur. Nuk kishim mundësi strehimi. Mendonim që nëpër puseta situata është më sigurt, e dikush nëpër ndërtesa të burgut apo në pavijonin C. Në fillim hyra në një pusetë por, në ndërkohë, duke menduar që ata do të gjuajnë dhe mund të mbetem brenda, dola menjëherë nga aty që të rrija me të tjerët”.
SHPRESA KISHTE VDEKUR, TË BURGOSURIT VARNIN VETEN
Dalja nga puseta ishte fat për të, sepse shumë të tjerë e pësojnë aty. Shabani shkon në pavijonin B. Serbët vazhdonin të të gjuanin. Nëpër pikat e tyre vrojtuese, gjuanin aty ku shikonin pakica e të burgosurve.
“Ndërkohë, të burgosurit e strehuar në pavijonin B filluan të kujdesen për disa të plagosur. Kur situata nisi të ‘qetësohet’, shkova në pavijonin C për të ndihmuar të plagosurit tjerë. Duke shkuar nga pavijoni B për tek pavijoni C, kam parë një të burgosur të varur, që kishte bërë vetëvrasje. Aty nuk ka pasë shpresë askush për jetë. Më vonë, paramilitarët e të burgosurit serbë, me maska kanë hyrë brenda duke vrarë dhe gjuajtur bomba nëpër puseta”.
Tentimet e paramilitarëve serbë për t’i asgjësuar të gjithë të burgosurit kanë qenë të ndryshme. Ata krijonin situate paniku, në mënyrë që të burgosurit të arratisen dhe më vonë të vriten.
“Kur ka bombarduar NATO, janë krijuar disa vrima në mur. Është krijuar një situatë për të cilën disa thoshin që duhet të arratisemi përmes këtyre daljeve. Njëri njëherë ka dalë dhe është kthyer, d.m.th. e la variantin alternativ që të arratisemi se askush nuk na kapë. Mirëpo, vërtetohet e kundërta, sepse kur kemi dalë në fund nga burgu i kemi shikuar trupat e pajetë të atyre që kanë tentuar të arratisen”.
Edhe pse të burgosur e siguria e tyre duhet të mbrohet me anë të ligjit, Dubrava ishte shesh i krimit. Për ta mbrojtur veten nga “mbrojtësit” e tyre, shqiptarët përdorin mjetet që i gjenin.
“Menduam si të vetëmbrohemi. Në bodrum kemi marr disa shtretër metalikë. I kemi vendosur në tokë duke i mbuluar dhe të lidhur me litar. Pra, në momentin kur vijnë gardianët, e kur të shkelin, ne t’i tërheqim e ata të bien. Hapi tjetër që kemi ndërmarr për të shpëtuar ishte edhe momenti kur me drita të neonit jashtë në oborr kemi shënuar fjalën ‘HELP’”.
Atë mbrëmje serbët i kanë të lënë të burgosurit “rehat”, ndërsa secili prej shqiptarëve ka dhënë kontribut duke ndihmuar të plagosurit. Sipas Shabanit, kishte raste që të plagosurit të vdisnin nga plagët e mëdha.
Forcat serbe, më datë 23 maj, sërish me dhunë kanë kërkuar që të burgosurit të dalin jashtë ambienteve ku ishin strehuar.
“Na kanë kërkuar që të shkojmë në Sallën e Sportit. I kemi bartur edhe të plagosurit që t’i dërgojmë aty. Të nesërmen, më datë 24 maj, kemi dalë dhe kemi hipur nëpër autobusë për të na dërguar në burgun e Lipjanit”, përfundoi Shabani. /Elfije Boletini/Telegrafi/
FRASHËR SHABANI, I MBIJETUAR I MASAKRËS SË DUBRAVËS: DËSHMIA E DHËNË NË VITIN 2001, NË JAVOREN “ZËRI”
JO JETA, POR VDEKJA ISHTE SHPËTIMTARE…
Një shokut tim gardiani serb me rastin e transferit i kishte thënë: “Do t’ ju dërgojmë në Dubravë dhe nuk do ta shihni lirinë më kurrë”. – Ndjenim në shpirt se ata që vdiqën u çliruan nga ky horror, nga tmerret tjera të Dubravës. – Disa kanë tentuar dhe kanë bërë vetëvrasje. – Një djalë i ri, kapakun e kokës e kishte të hequr. Paramendo, trutë ia kam mbledhur dhe ia kam vendosur në kokë. – Ishte një i burgosur i këputur në mes. E thërriste vëllain t’ i ndihmonte. – Ushqimi nuk ndahej me askënd. Ishte krijuar gjendje paniku dhe njerëzit mendonin se do të vdesin urie. – Mendjet vetëm tek vdekja na shkonin. – Kur hymë në burg, në Lipjan, aq ishim të etur, sa që nuk ngopeshim me ujë. Por, nuk na lejonin që të pimë. – Kishim dëshirë të bombardoheshim edhe në Lipjan, që vuajtjet tona të merrnin fund. – Nga shokët u ndava fizikisht, ngase shpirtërisht ende vuaj me ta.
– Frashër, ju keni përjetuar vuajtjet dhe tmerrin e Dubravës. Si ndodhi ajo tragjedi? Si e përjetove ti dhe shokët tuaj?
NA DËRGUAN NË DUBRAVË PËR TË NA VRARË
SHABANI: Kur flas për këtë tragjedi e ndjej veten keq. Është ky përjetim që nuk harrohet kurrë. Traumat dhe streset e Dubravës ende më përcjellin, por jo vetëm mua…
Më 30 prill, neve, të burgosurit e burgut të Gjilanit, na kanë transferuar për në burgun e Dubravës. Rruga deri atje ishte shumë e mundimshme. Tërë kohën bombardonin aeroplanët e NATO-s. Në një çast kemi zbritur dhe e kemi ndërruar autobusin. Nuk jemi larguar më shumë se 20 metra dhe autobusi që e lamë pas u bombardua nga NATO-ja.
Foto: Arkiv
Kur arritëm në Dubravë personeli i burgut, i mllefosur nga bombardimet, në shenjë hakmarrjeje ushtronte masa tortura fizike mbi ne. Ishim të lidhur me pranga, jo vetëm duart dhe këmbët, por gjithë trupin e kishim të mbështjellë me zinxhirë…
Na vendosën në pavijonin C, pa kontakte, pa shëtitje… Mbaheshim nën një regjim special. Unë isha i vendosur në një sallë lart, shokët e tjerë ishin në katin nën ne. Kemi qenë 25 veta. Kushtet kanë qenë të tmerrshme për jetë. Ushqimi ka qenë minimal: dy racione në ditë me dy copa bukë, dhe një gjellë me ujë. Kjo ka zgjatur derisa jemi transferuar në Serbi. Ishim bërë asht e lëkurë, si njerëz që më parë i shihni vetëm në filmat e tmerrit…
Provokimet e gardianëve kanë qenë të pandërprera, psikike dhe të padurueshme. Por, nuk kanë munguar edhe torturat fizike. Të burgosurit nxirreshin nga dhomat e ktheheshin të përgjakur dhe të alivanosur. Nuk kishte gjë më të rëndë për ne se kur dëgjonim britmat e shokëve tek rrihen. E, ne nuk mund t’ju ndihmonim fare…
– Si e keni pritur lajmin për transferin e papritur në Dubravë?
SHABANI: Mendimi im dhe i të gjithë shokëve tjerë, gjatë bisedave të mëvonshme, ishte se serbët e kanë planifikuar këtë tragjedi më kohë. Për këtë flasin shumë argumente. Një shokut tim gardiani serb, me rastin e transferit, i kishte thënë: “Do t’ ju dërgojmë në Dubravë dhe nuk do ta shihni lirinë më kurrë”. Pra, jam i bindur se gjithçka ka qenë e përgatitur, se transferimi ishte tragjedi e paralajmëruar. Aq më shumë kur forcat paramilitare dhe militare serbe ishin të stacionuara në burg.
ENVER TOPALLI VRITET NË SULMIN E PARË TË NATO-s
Është edhe një e dhënë tjetër shumë interesante. Dhjetë ditë para se të bombardohej Burgu i Dubravës, personeli i burgut i ka thyer degët e të gjitha pemëve dhe drunjve tjerë në hapësirën e këtij burgu. Është e vërtetë që rreth atij burgu ka pasur forca të mëdha serbe dhe armatime të rënda, si dhe maketa të rrejshme. Këtë mund ta lidhi me një rast, kur disa të burgosur kanë tentuar të ikin. Është krijuar një vrimë në murin e rrethojës, atje tek terreni i futbollit, një vrimë e shkaktuar nga bombat e NATO-s. Ata kanë tentuar të ikin, por për shkak të prezencës së madhe të forcave serbe janë kthyer sërish.
Në një rast, një i burgosur ordiner, spiun i serbëve, ka dalë dhe është kthyer me një detyrë të caktuar, që t’i nxisë të gjithë të burgosurit të dalin përmes asaj vrime dhe të vriten. Mirëpo, falë disave, nuk kemi rënë pre e këtyre provokimeve. Madje kemi apeluar që askush të mos tentojë të ikë.
– Ku ishit dhe çfarë keni bërë kur filluan bombardimet e NATO-s mbi burgun e Dubravës?
SHABANI: Ishim duke biseduar në një sallë, pikërisht për aeroplanët. Ato çaste dikush tha: “Shihni si bombardojnë aleatët tanë!”. Ishte mesdita e 19 majit. Përnjëherë u dëgjua një zhurmë e madhe. Në qoshen e sallës ra bomba e parë e NATO-s. Nuk di si ta përshkruaj këtë. Për një çast janë dëgjuar britma të mëdha… Ende nuk besoj si nuk u shurdhuam…
Një i burgosur bërtiti: “Hapni dritaret!”. Por, ato ishin hapur vetë, ngase xhamat ishin të thyer. Na kaploi një panik tepër i madh. Aty ishin edhe ca djem të rinj, të papjekur, të cilët tentonin ta thyenin derën. Por, kjo ishte e pamundur, sepse ato ishin dyer speciale, tepër të trasha…
Nga bomba e parë Enver Topalli mbeti i vdekur në vend. Ishte i tëri i mbuluar nga rrënojat e betonit. Përpos Enverit vdiq edhe një nga komuna e Gjakovës. Ishte Gjokë Ndrecaj.
TË BURGOSURIT I KAPLOI PANIKU
Së bashku me Xhevat Hazirin, nga Komuna e Vitisë, kemi arritur ta nxjerrim nga rrënojat Abdullah Tahirin nga Malisheva e Gjilanit. Kur e nxorëm ai ishte ende gjallë, mirëpo ishte rënd i lënduar në kraharor dhe ishte e pamundur të mbeste gjallë. Nga sulmi i parë i NATO-s mbesin edhe tre të plagosur: Gjergj Karaqi, nga një fshat i Gjakovës, Kamber Hima nga Peja dhe Agim Thaçi nga rrethina e Gjakovës. Njëri ishte plagosur në kokë, tjetri dorën e kishte të këputur, ndërsa Gjergji i alivanosur totalisht. Kam arritur t’ju ndihmoj me ato aftësitë e mia, aq sa kam ditur nga fusha e mjekësisë. Kam gjetur ujë, ia kam pastruar gojën dhe me frymëmarrje e masazh të zemrës ia kam kthyer shpirtin… Në ato momente ndjenim në shpirt se ata që vdiqën u çliruan nga ky horror, nga tmerri tjera të Dubravës…
Foto: Arkiv
– A ishte në ato çaste personeli i burgut brenda?
SHABANI: Kur është bombarduar pavijoni C gardianët ishin në karakollën e ngjitur me pavijonin tonë, por të gjithë kanë shpëtuar. Këtë e kanë pohuar disa të burgosur që i kanë parë duke ikur…
– Ç’bënin të burgosurit në pavijonet tjera?
SHABANI: Edhe ata ishin në panik. Të burgosurit që kishin mundësi më të madhe qarkullimi, me disa mjete të forta i kanë thyer dyert, na kanë ardhur edhe neve në ndihmë dhe na kanë liruar. Dolëm në oborr. Në ndërkohë sa është hedhur edhe një projektil, në pavijonin pran nesh. Për fat të mirë, aty nuk kishte të burgosur.
Dolëm të gjithë jashtë, por ka ardhur personeli dhe na kanë tubuar në oborr, duke mos na lënë që të përzihemi me të burgosurit tjerë. Më vonë na kanë dërguar në shtëpinë e kulturës. Aty takova edhe Bajrush Xhemajlin, Nait Hasanin, Avni Klinakun e shumë të tjerë.
– Si kanë arritur të burgosurit të organizohen, t’i ndihmoni njëri-tjetrit?
SHABANI: Të gjithë kanë kontribuar, kush si ka mundur. Momenti i parë kur fillova të jap ndihmë, ishte gjatë ditës së dytë të bombardimeve. Ishim të shtrirë në fushë. Dëgjuam zhurmën e avionëve. Projektili ra në pjesën e djathtë ku ishim ne. Njërit iu këputi këmba e djathtë. Ai kërkonte ndihmë. “A ka kund mjek… A ka kush të më ndihmojë”, bërtiste. U zgjova dhe iu afrova. Kam intervenuar si kam mundur, me një lloj litari të them. Këmbën e kishte të këputur, një tetivë ende ia mbante. Ia kam lidhur duke u munduar t’ia ndal gjakderdhjen. Të nesërmen ai vdiq…
SHUMË TË BURGOSUR TENTONIN TË BËJNË VETËVRASJE
Kërkova ndihmë edhe nga të burgosurit tjerë, ngase shumë prej tyre nuk i njihja. Dikush më tha se prezent është edhe një mjek nga Gjakova. Ai erdhi aty, por nuk vonoi shumë dhe ra projektili tjetër. Kur e ktheva kokën, ai kishte rënë. E thirra: “Doktor, doktor!”. Kur ia mata pulsin, ai veç kishte vdekur. Pas kësaj, disi u forcova më shumë. Nuk jam ndalur asnjëherë dhe iu kam shkuar në ndihmë të gjithë të plagosurve që i kam parë. Një i burgosur që ishte nga një fshat i Therandës, kishte gishtërinjtë e të dy këmbëve krejtësisht të dëmtuar. Ashtu si kam mundur ia kam lidhur e ndalur gjakderdhjen. Shihej se kishte dhembje të mëdha, mirëpo asnjëherë nuk ia dëgjova as më të voglën gjëmë. Ky i burgosur, deri tek transferimi në burgun e Lipjanit ishte i gjallë. Prej aty e kanë nisur për në Prishtinë. Më nuk dihet gjë për fatin e tij…
– Mirëpo, shumica e të burgosurve ishin në pavijonin C ?…
SHABANI: Po, dhe ne kujdeseshim për ta përmes dritares së thyer. Nga jashtë dëgjohej një zë trishtues, gati krejtësisht i shterur, që kërkonte ndihmë. Ishte vështirë të afroheshe, ngase snajperistët nga karakollët gjuanin në gjithçka që lëvizte. Me dy shokë të tjerë e morëm një batanije dhe duke ecur zvarrë arritëm disi të afrohem. Brenda, në një pusetë, strehohej ashtu i plagosur, Fadil Delijaj nga fshati Prilep i Deçanit. Njërin krah ia kishte zënë kapaku i pusetës dhe këmbët i kishin mbetur në ajër. Vetëm pak kohë i duhej që në atë mënyrë të vdiste. Në shpejtësi e futëm brenda ndërtesës. Ia hoqëm nga koka pjesët metalike të granatës.
– Çfarë ishte gjendja mentale e të burgosurve. A ka pas tentime për vetëvrasje?
SHABANI: Shumë të burgosur kalonin në disa faza të çuditshme, dukeshin si të dehur. Disa kanë tentuar dhe kanë bërë vetëvrasje. Ditën e fundit, kur na drejtuan tek muri, na thanë se do të na transferojnë për Nish, por ky ishte edhe një mashtrim i tyre. Me të thënë këtë fjalë, një i burgosur nga fshati Greme, që para Dubravës ishte në Nish, ka marrë një kabllo dhe ka varë veten. Si duket në Nish ka qenë aq i torturuar, sa që vetëm emri është dashur t’i ceket që ky t’ia marrë vetes jetën. Ne nuk patëm mundësi ta ndalim… Më parë ky kishte mbajtur 11 vjet burg. Edhe një vit i kishte mbetur të lirohet… Emri Nish e nxiti ta vrasë veten…
– Cilat janë rastet që më së rëndi i keni përjetuar?
TË PLAGOSURVE U KEMI DHËNË INFUZIONE TË IMPROVIZUARA
SHABANI: Më kujtohet një rast kur njërit i ishte dëmtuar palca kurrizore. Vazhdimisht kam qëndruar pranë tij. I kishim disa injeksione që i kishim gjetur aty, me disa shiringa. I kam dhënë tërë kohën novalgetol, pasi që nuk kishim mundësi ndryshe të intervenojmë.
Një rast tjetër, një djalë i ri kapakun e kokës e kishte të hequr. Paramendo, trutë ia kam mbledhur dhe ia kam vendosur në kokë. Në gjendje të tillë ai ka jetuar edhe dy ditë.
Një tjetër i kishte tri plagë në bark. Pasi ia kam lidhur dhe kam shkuar të ndihmoj një tjetër, ai i ka zgjidhur duke dashur të vdiste më shpejt.
Foto: Arkiv
Ideja ime ishte që të plagosurve t’u jepnim infuzion të improvizuar. Infuzioni jepej në mënyrë orale. Ishte një lloj sherbeti, ujë me marmelatë, pastaj kemi gjetur edhe kripë. Ky lloj infuzioni, që është përdorur në Dubravë, nuk është provuar askund në botë.
Atij të plagosurit në kokë pandërprerë derisa ka vdekur i kemi dhënë këtë lloj infuzioni…
Një rast tjetër që e përjetova tepër rëndë ishte një i burgosur i këputur në mes. E thërriste vëllain t’ i ndihmonte. Gjaku i shkonte si krua. Vëllai në vend të ndihmës faqet ia kishte mbuluar me lotë. Vëllai i qëndroi faqe më faqe deri në momentin kur vdiq.
Një i burgosur nga Shqipëria, Memiu, ka qenë i plagosur nga snajperistët në kokë. Ai ishte i palëvizshëm, ndërsa t’i shkoja në ndihmë ishte rrezik i madh. Jemi nisur me dy shokë, zvarras që ta tërheqim. Vetëdija ende nuk i kishte humbur. E kemi renditur në mesin e të plagosurve. Më vonë ai ka mundur madje edhe të flasë. Por, ditën e nesërme, kur kanë hyrë forcat paramilitare me maska, në mesin e të cilëve kishte edhe të burgosur ordinerë serbë – i njihnim të burgosurit në bazë të këpucëve dhe rrobave që kanë pasur të veshura – ishin gjashtë të plagosur bashkë me Memiun, me plagë të lidhura. Paramilitarët i kanë ekzekutuar të gjithë për së afërmi me nga një plumb në ballë.
Pasi paramilitarët janë tërhequr jemi kthyer dhe i kemi parë. Në ato çaste forcat serbe na gjuanin nga të gjitha anët me të gjitha llojet e armëve, sidomos nga karakollat.
Ahmet Hoxha, profesor nga Ferizaj, ditën e parë shpëtoi. Ai ishte i gëzuar dhe thoshte se liria është afër…
– Si ashtu?
DËSHIRONIM TË JEMI TË VDEKUR
SHABANI: E ndjente veten tejet të sigurt dhe tejet të gëzuar. Ndoshta pse çastet e vdekjes i kishte afër, pasi që ditën tjetër vazhduan bombardimet dhe ai mbeti i vdekur në vend. Plagën e kishte në shpinë. I kishte depërtuar deri në zemër…
– Cili ishte numri i të vdekurve dhe i të plagosurve në Dubravë?
SHABANI: Në Dubravë kemi formuar një lloj kolegjiumi prej njerëzve që kanë pasur detyra të caktuara. Disa janë marrë me regjistrimin e të vdekurve, të tjerët me të plagosurit dhe ndihmën ndaj tyre. Një grup është marrë edhe me përgatitjen e ushqimit për të plagosurit, pasi që kishim krizë të madhe për ushqim.
Fillimisht, tre kanë qenë të vdekur në sallë nga bombardimi i NATO-s. Nga plagët e marra vdiqën 20 të tjerë më vonë. Mirëpo, më shumë se 100 të burgosur tjerë u vranë nga forcat serbe…
Para masakrës, në burg ishin rreth një mijë të burgosur.
– Si jeni gjetur me ushqim?
SHABANI: Në Dubravë është krijuar një situatë e çuditshme. Më kujtohen disa të burgosur kishin gjetur mish të papjekur. Kanë ndezur zjarre dhe e piqnin mishin me disa mjete të improvizuara. Por, ushqimi nuk ndahej me askënd. Është krijuar gjendje paniku dhe njerëzit mendonin se do të vdesin urie. Disa, madje merrnin ushqime më tepër seç u duhej…
– A keni menduar në ndonjë çast se do të shpëtoni?
SHABANI: Mund të them lirisht se të gjithë të burgosurit jemi pajtuar me vdekjen. Madje këtë më së shumti e kemi kërkuar në ato momente. Mirëpo, prapë mendja na shkonte tek familjet. A janë gjallë, apo të vdekur? Nëse kanë vdekur, si kanë vdekur? Pra, mendjet vetëm tek vdekja na shkonin.
Në një moment, kur isha duke lidhur plagë të të plagosurve, u shmanga në një dhomë. Kisha një të vetme fotografi të familjes. Bashkëshorten me tre fëmijët. E nxora nga gjiri ku e kisha mbajtur deri atëherë, arrita ta shikoj… Dhe, parandjenja më tha se ky do të jetë takimi i fundit me fytyrat e më të dashurve. Kur shokët m’i panë lotët më pyetën se çfarë ka ndodhur? U tregova dhe edhe ata ia nisën vajit. Këtë kurrë nuk do ta harroj…
SERBËT NUK LEJONIN AS UJË TË PINIM
Pastaj, kur na kanë tubuar në sallë të sportit dhe e dinim se të gjithëve do të na pushkatojnë, u përshëndetëm të gjithë njëri me tjetrin. Ne po shkonim… Vëreheshin forcat serbe rreth sallës së sportit, me zolla të drejtuara kah ne, të gatshëm për ta rrënuar tërësisht objektin. Mirëpo, disa të burgosur dëgjojnë papritmas urdhrin në radio-lidhjet serbe: “Urgjentisht të ndërpriten të gjitha aksionet…”! Pra, në pyetje ishte vetëm një minutë që na ndante nga vdekja e sigurt.
Brenda në sallë ishin tre ushtarë, të cilët filluan të na shpërndajnë cigare. Na thanë: “Tash mund të gjendeni si të doni, mund të ushqeheni si të mundeni, sepse nesër do të transferoheni në burgun e Lipjanit”. Nuk u gëzuam. Natyrisht, pas tërë asaj që ka ndodhur, as nuk besonim.
– Të nesërmen jeni nisur për në Lipjan. A e di ti se çfarë ka ndodhur me kufomat e të vrarëve?
SHABANI: Mbetën aty. Atyre që i kemi njohur ua kemi shkruar emrin në ndonjë fletë, kush s’i ka mundur. I kemi mbështjellë me najlon në xhepat e tyre. Më vonë, këto shënime kanë mundësuar edhe identifikimin e të shumtëve, pas zbulimit të varrezës masive.
– Po, të plagosurit?
SHABANI: Të plagosurit janë bartur me kamion, bashkë me ne. Por, transferimi ynë bëhej me autobusë.
– Sa qëndruat në Lipjan?
SHABANI: Në Lypjan qëndruam prej 24 majit e deri më 9 qershor…
Lipjani është një kapitull në vete. Rrugës për në Lipjan kemi qenë aq shumë të djersitur, gati të dehidruar. Dritaret e autobusëve ishin të mbyllura. Gati sa nuk jemi alivanosur. Kur hymë në burg aq ishim të etur, sa që nuk ngopeshim me ujë. Por, nuk na lejonin që të pimë. Për fat tonin filloi të binte shi dhe ne i shfrytëzuam strehët, që duke mbledhur ujin me shuplaka, pak a shumë ta shuajmë etjen.
Kur kemi hyrë në Lipjan personeli i burgut na ka futur në kolonë brenda. Në anët e kundërta qëndronin ata duke na torturuar pandërprerë.
– Pasi rreth burgut të Lipjanit ishin të vendosura forcat kundërajrore serbe, a jeni frikuar se ndoshta forcat e NATO-s do ta bombardojnë edhe këtë objekt?
NË MENDJE I KAM ENDE SHOKËT
SHABANI: Jemi frikuar dhe ishim në panik. Kuptohet, nga përjetimet tona të hidhura në Dubravë. Aty ishin disa objekte, montazhi tepër të dobëta, sa që një bombë e vetme mjaftonte të rrënoheshin.
Por, fati deshi që Burgu i Lipjanit të mos bombardohej. Mirëpo, ne nuk frikoheshim. Vërtet kishim dëshirë të bombardoheshim edhe në Lypian, që vuajtjet tona të merrnin fund.
– Pas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës ju transferoheni nga Lipjani në burgjet tjera të Serbisë?
SHABANI: Ishte 9 qershori. Na lidhën me litarë, të gjithëve dhe na futën në autobusë. Na dërguam në Nish, por aty burgjet ishin të mbushura me të burgosurit tjerë, që ishin para nesh. Shoferi i autobusit zbriti poshtë dhe e la radion e ndezur. U ndërpre rrjedha muzikore dhe filluan lajmet e orës 15:00. Dëgjuam kumtimin e lajmit se është arritur një marrëveshje mes përfaqësuesve të Milosheviqit dhe forcave të NATO-s. Ato momente të gjithë neve na kaploi një gëzim i papërshkrueshëm. Ashtu të lidhur, të gjithë me lotë në sy, jemi përqafuar me njëri-tjetrin. Nuk di si ta përshkruaj këtë ndjenjë… Por, ne prapë vazhdonim rrugën për në burgjet tjera serbe, në Mitrovicën e Sremit. Vuajtjet tona nuk kishin të ndalur…
– Frashër, kohë më parë jeni liruar. A mund ta përshkruani momentin e ndarjes nga shokët e burgut, takimin me Kosovën, me lirinë?
SHABANI: Nga shokët u ndave fizikisht, ngase shpirtërisht ende vuaj me ta. Ende kujtoj lotët e tyre, kur jemi ndarë, kur më kanë thënë: “Frashër, përshëndete Kosovën edhe për ne… Kushdo që të pyes, thuaj se jemi gjallë, të fortë…”. U ndava nga shokët e mi të burgut, nga ata që mbetën edhe më tej të vuajnë. Vërtet, ende nuk jam liruar nga shikimet e tyre, që më përcjellin në vazhdimësi… /Xheladin Rexhepi & Shqipe Sadiku/Telegrafi/
ISË TOPALLAJ, ROB LUFTE, ME SHTATË PLAGË NË TRUP NË MASAKRËN E DUBRAVËS, I MBETUR GJALLË: DËSHMIA E DHËNË MË 2001 NË JAVOREN “ZËRI”
KALLËZIMI PËR GJERGJ ELEZ ALINË E BAICËS
Isë Topallaj, djaloshi 29 -vjeçar nga Baica e Drenasit, ushtar i UÇK-së, i zënë rob lufte nga forcat serbe, e kishte përjetuar ferrin e burgut të Dubravës dhe kishte mbetur gjallë, ndonëse me shtatë plagë të rënda në trup.
Udhëtimi i tij nëpër shtresat e ferrit nuk përfundon këtu, “edhe pse shokët na kanë ra për fytyre dhe na kanë mbuluar me batanije”. Për të pason tortura në Spitalin e Prishtinës, që gjatë bombardimeve të NATO-s ishte shndërruar në një mundimtore për shqiptarët e plagosur; pastaj mbajtja nëpër kampet e përqendrimit në Lipjan dhe në Zabellë të Pozharevcit, e më në fund para gjyqit në Nish, prej nga del i gjallë dhe kthehet në familjen e tij. Isa i mbijetoi të gjitha dhe tashti i vjen më së rëndi rezignimi nga ana e strukturave të dala nga lufta: “Askush nuk u interesua për fatin tim, a jam gjallë, a mund të ngrihem më në këmbë, a kam çka të ha…!?”
NJË DËSHMITAR MË SHUMË PËR KALVARIN E DUBRAVËS
Ishte 27 shtatori i 1998-ës, kur zihet nga forcat serbe. Kishte mungesë armatimi dhe ende nuk kishte siguruar armë për vete. Deri atëherë ishte shërbyer me armën e një shoku të tij. Atë ditë ishte i paarmatosur, në mal së bashku me luftëtarë dhe popullsi civile. Me shumë fshatarë tjerë ishte arrestuar dhe ishte dërguar në Prishtinë duke u akuzuar për transport armësh nga Shqipëria në Kosovë. Kështu ishte dërguar në Burgun e Lipjanit, ku pas më se katër muajsh ishte transferuar në Burgun e Dubravës, në Istog.
Isa ka qenë vullnetar i UÇK-së. Më 1998 ka shërbyer në Gllogjan, nën komandën e komandantit Shaban Shala; betimin e ka dhënë para komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Ai ka marrë pjesë në luftime direkte me forcat serbe në Baincë dhe për këtë i ka dëshmitë e dhjetëra bashkëfshatarëve. Mirëpo, askush nuk di të thotë përse u krijua një qëndrim indiferent ndaj tij nga ana e bashkëluftëtarëve të tij, që Isës nuk i njihet ende statusi i ushtarit të UÇK-së.
Isa ishte rob klasik i luftës… Por, kjo nuk i bëri përshtypje askujt nga strukturat e UÇK-së, sot të TMK-së, të Shoqatës së Invalidëve të Luftës etj. Plagët që Isa i mori në Dubravë janë çmim për lirinë e Kosovës…
Torturat që kishte përjetuar në Prishtinë dhe në Lipjan janë shumë të vogla në krahasim me atë që ka përjetuar në Burgun e Dubravës. Atje fillon rrëfimi i tij plot tmerr.
“Pas bombave të NATO-s, mbi burgun e Dubravës më 19 dhe 21 maj 1999, gardianët serbë na lanë të mbyllur neve e vetë ikën jashtë burgut. Ne i thyem dyert dhe dolëm jashtë e u fshehëm pas bredhave, pas pavijoneve, në puseta”, fillon të rrëfejë edhe një dëshmitar i Masakrës së Dubravës, Isë Topallaj.
“Në Dubravë 22 maji ishte dita që ne e zbardhëm në qiellin e hapur. Bombardimet pushuan, ndërsa një i uniformuar na urdhëroi të rreshtohemi të gjithë, aty në oborr. Por, ende pa u rreshtuar mirë, mbi ne filluan të gjuajnë me një arsenal të gjithfarshëm armësh, më armë të rënda, me minahedhës, granata, bomba dore e më vonë edhe me mitralozë dhe automatikë… Posa kanë sulmuar për herë të parë, u thashë shokëve shtrihuni, dhe vetë u rrëzova për tokë e mbi mua ranë mbi dhjetë vetë”.
“MË KISHIN RA PËR FYTYRE DHE MË KISHIN LËNË PËR TË VDEKUR TË MBULUAR ME BATANIJE…”
Aty kishin vdekur Dan Leku, Zejnullah Elshani, Bajram Kiqina… të cilët Isa i kishte njohur.
“Aty u plagos edhe Faik Topalli, të cilit desha t`i ndihmoja, se vetë isha ende i paplagosur, por posa jam ngritur pak u plagosa rëndë në bark. U shtriva në shpinë, e në çast më ranë dy pjesë të granatës në gjoks dhe m`u ndërpre frymëmarrja. E shtrëngova barkun që t`i ndali dhimbjet, duke u ulur, por u plagosa edhe në qafë. E ngrita dorën ta mbaja plagën e porsafituar, kur më rrokën në krah plumbat dhe m`u duk se m`u këput krahu. Atëherë jam shtri për tokë dhe kam qëndruar i palëvizshëm, derisa ata vazhdonin të gjuanin pandërprerë dhe e nuk shihej më dot asgjë, përveç tymit të zi. Unë e kam humbur vetëdijen e kur më kanë thirrur shokët nuk i kam dëgjuar”, tregon për tragjedinë e përjetuar Isa, që në shekullin XXI na kujton legjendat e vjetra shqiptare, si atë të Gjergj Elez Alisë.
Shokët kanë menduar se ai ka vdekur dhe pas pushimit të asaj breshërie sulmesh, e kanë renditur në radhë me kufomat tjera të vrara. Por, Faiku që kishte pesë plagë në trup nuk kishte pranuar ta tërheqin shokët pa Isën, duke u përpjekur t’ua shpjegojë atyre se Isa është i gjallë.
“Kur më kapi për krahun e plagosur Fadil Topalli, unë kam bërtitur: ‘Po ma këput krahin’”, rrëfen Isa, por atij nuk i kujtohet ai moment vetëm se shokët ia kanë rrëfyer më vonë.
Bislim Zogaj, një teknik medicinal, Isës dhe shumë të plagosurve tjerë u ka ndihmuar duke ua lidhur plagët qoftë edhe me këmisha të trupit.
“Pas dy ditësh erdhën shkiet dhe na dërguan në sallën e sportit, në dritaret e të cilës sollën minahedhës e pushkëmitralozë dhe na thanë se kur të vijë NATO të na sulmojë ne, ne juve do t’ju çojmë në ajër. Na thoshin se jeta juaj është në pyetje për pesë minuta. Gjithashtu na thoshin se mund të përshëndeteni me shokë, e kur ne fillonim të përqafoheshim me njëri-tjetrin duke u hallashtisur, ata qeshnin si të tërbuar. Por, pas 3-4 orësh u erdhi urdhri që të mos na vrasin, por të na transferojnë diku tjetër”.
NË SPITALIN E PRISHTINËS HAPESHIN PLAGË TË REJA
Kështu, ata që mbetën gjallë në Dubravë, serbët i transferojnë në burgun e Lipjanit, ku të plagosurve u japin të pinë një lloj “pluhuri të bardhë”, ndoshta ndonjë lloj droge, me të cilin u pushojnë dhimbjet e atyre plagëve aq të rënda. Isa tregon se pas pirjes së atij pluhuri, nuk ka ndjerë më kurrfarë dhimbjesh, bile vetëm ka qeshur dhe ka kënduar!?
Ata që kishin qenë tepër rëndë të plagosur, me një minibus i kishin sjellë në Prishtinë, kinse për t’ua shëruar plagët.
“Në ora 15:00 na jepnin injeksione, e në ora 18:00 vinin Policia e na rrihnin. E, kur infermieret fillonin britmën e tyre, vinin gardianët e burgut kinse për t`i larguar policët dhe paramilitarët që kishin vërshyer spitalin”, shprehet i tensionuar Isa, duke mos harruar të tregojë se Policia kur hynte kërkonte sidomos ata që ishin nga Aqareva, Bainca, Llapushniku… ku, sipas Isës, serbët kishin pësuar humbje të mëdha dhe tani donin që të hakmerreshin te të plagosurit.
Pas dhjetë ditësh të kaluara në spital, ku më shumë kishin marrë plagë të reja sesa që kishin shëruar ato që kishin, i kthejnë sërish në Lipjan. Isës i kujtohet kur rrobat ia kishin bërë copë-copë në spital, ngase nga plagët e marra nuk mund t`i hiqte nga trupi. E, kur ishte kthyer në Lipjan, një shok ia kishte dhënë ‘maicën’ e tij, ngase xhemperi ia ngacmonte plagët.
“Ajo që më ka lënduar më së shumti ishte një grua serbe e cila më ka rrahur ashtu të plagosur me çantën e saj, sepse unë jam burrë, drenicak dhe për mua është e rëndë të të rrahë një grua. Pra, kjo m’u pat bërë kompleks…”, thotë Isa dhe në këto çaste për të parën herë nis të qeshë.
10 qershori 1999 do t’i gjejë ata në rrugë për në Serbi, pikërisht në burgun Zabella te Pozharevcit. Atje do të qëndrojë deri më 7 dhjetor 1999, kur do ta dërgojnë për në burgun e Nishit. Më 24 dhjetor do të bëhet gjykimi i parë kundër i tij, ku ai dënohet me 21 muaj burg, të cilat me shtatë plagë në trup arrin t`i mbajë deri në fund dhe ia del të kthehet te familja, i bindur se do të mbijetojë, i bindur se në shtëpi do ta gjejë vogëlushen e tij, Mirjetën, do t’i gjejë të gjithë ashtu siç i kishte ëndërruar prej ferrit të papërshkruar ku ka lënë shokë të shumtë pa të cilët ende nuk e ka ndjerë aromën e lirisë.
Asgjë nuk i duket më e rëndësishme, më me vlerë, as operimi dhe shërimi i plagëve, as rindërtimi i shtëpisë… Asgjë pa shokët nuk vlen për të. /Antigona Uka/Telegrafi/
(VAZHDON NESËR)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Reagon vëllai i Fitore Pacollit: Kam vite që merrem me bujqësi, kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në motër
Mickoski: Nuk do të ketë Ndryshime Kushtetuese deri në fund të vitit
Mexhiti: Prioritet i qeverisë sonë është rruga drejt BE-së
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë
Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit
Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë
Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët