Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E sot, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.


Lexoni të plotë njoftimin:

Për mobilizim qytetar dhe sindikal

Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut, arsimtarë, mësues, profesorë dhe punëtorë të arsimit në të gjitha nivelet, Kryesia e SBASHK-ut, pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ju fton për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike.

Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran.

Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar.

Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë. /Telegrafi/