Marseille rrezikon humbjen e yllit, Man Utd gati për përfitim 50 milionë euro

Manchester United pritet të përfitojë rreth 50 milionë euro nga një ofertë marramendëse prej 100 milionë eurosh e paraqitur nga klubi i ri i Saudi Pro League, Neom Sports Club, për ish-sulmuesin e “Djajve të Kuq”, Mason Greenwood, sipas raportimeve nga media spanjolle Fichajes.
Oferta, e bërë në prag të afatit kalimtar së janarit, vjen pas formës së shkëlqyer që 24-vjeçari ka shfaqur tek Olympique Marseille, ku vetëm 18 muaj pas largimit nga Old Trafford është shndërruar në lojtar kyç.

Transferimi i tij te Marseille për rreth 26 milionë euro përfshinte një klauzolë inteligjente prej 50% mbi shitjen e ardhshme një marrëveshje e negociuar nga ish-drejtori sportiv Dan Ashworth, çka e vë United në pozitë të favorshme për të përfituar ndjeshëm nga një transferim i mundshëm.
Nën drejtimin e Roberto De Zerbi, Greenwood po zhvillon një sezon mbresëlënës në Ligue 1, me 10 gola dhe 4 asistime në 14 ndeshje, duke e mbajtur Marseille në garë për titull.

Ai ka shkëlqyer edhe në arenën evropiane, ku ka regjistruar gol dhe asistim në Ligën e Kampionëve.
Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve si Barcelona dhe Juventus, por Neom SC duket se e konsideron sulmuesin anglez si figurën qendrore të projektit të tyre ambicioz, duke vlerësuar “qëndrueshmërinë e tij në situata presioni” dhe duke i ofruar rol absolut protagonist.
Ky zhvillim e vendos Greenwoodin mes emrave më të kërkuar të afatit kalimtar së janarit, ndërsa Man Utd qëndron gati të përfitojë ndjeshëm ekonomikisht nga një lëvizje e mundshme drejt Arabisë Saudite. /Telegrafi/
















































