Gazeta më e madhe spanjolle “Marca” ka shkruar sërish për Vedat Muriqin, duke e cilësuar si “Mbreti Pirat” që e ka për objektiv ta mbrojë ishullin (pra Mallorcan, nga rënia prej La Liga-s).

Vedat Muriqi u bë golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas për kampionatin spanjoll, duke tejkaluar Samuel Eto’o, kurse tani ka për synim që të luftojë me Kylian Mbappen e Real Madridit për “Pichichi”, ose thënë ndryshe Këpuca e Artë në Spanjë.


Marca” ka bërë një poemë të bukur për yllin e Kosovës, duke iu treguar të gjithëve për punën e jashtëzakonshme që po bënë me shpresën për ta mbajtur Mallorcan në elitën e futbollit spanjoll.

““Mbreti Pirat” kishte lexuar gjatë javës se një anije piratësh po i afrohej ishullit të tij me synimin për t’i grabitur tre pikët. Por “Mbreti Pirat” mbron me fanatizëm territorin e tij, qoftë ai oqean, pishinë apo edhe një kovë me ujë”.

“Vedat Muriqi zmbrapsi sulmin me një paraqitje të denjë për poema epike në Mallorca. Me dy golat e tij, ai kalon Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit në La Liga dhe tani ndodhet vetëm dy gola pas Kylian Mbappe në garën për “Pichichi””, shkruan fillimisht gazeta spanjolle.

Pastaj, “Marca” zbulon ‘superfuqitë’ e Vedat Muriqit, që gjithnjë gjendet në vendin e duhur kur i nevojitet klubit.

“Muriqi tregoi dy nga “superfuqitë” e tij për të zhbllokuar ndeshjen. Ai gjithmonë e di saktësisht ku do të përfundojë topi në zonë dhe ka aftësinë të humbasë mbrojtësin në momentin që ai pulit sytë. Samu Costa devijoi një goditje këndi në shtyllën e parë dhe në të dytën, ndërsa Mendy shikonte i shqetësuar se e kishte humbur nga sytë, Vedati ishte gati ta shtynte topin në rrjetë”.

“Dhe ndërsa tabela elektronike shfaqte faktin se ai kishte barazuar rekordin e Eto’o-s në La Liga, Muriqi sikur i dërgoi një “mesazh” atij që merrej me tabelën, sepse kjo ishte një ditë për diçka më shumë. Mallorca organizoi një kundërsulm, Luvumbo harkoi bukur dhe Muriqi e preku topin për të mposhtur sërish Cardenas, duke çuar shifrat në 55 gola në La Liga, 21 vetëm këtë sezon”.

Ndërkohë, Muriqi do të provojë ta rritë numrin e golave në La Liga në përballjen e ardhshme ndaj Valencias./Telegrafi/

telegrafi sport app