Pas një rrugëtimi të vështirë në kualifikime dhe pavarësisht humbjes në sfidën vendimtare ndaj Uellsit, Maqedonia e Veriut e siguroi ‘play-off’-in falë renditjes në Ligën e Kombeve, ndërsa shorti i hedhur në Cyrih përcaktoi Danimarkën si kundërshtarin e parë drejt ëndrrës botërore, njofton Telegrafi.

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë për herë të dytë radhazi në fazën e ‘play-off’-it për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Edhe pse skuadra nuk arriti të sigurojë një nga dy vendet e para në grupin kualifikues, pas humbjes në ndeshjen vendimtare ndaj Uellsit, ajo ruajti shansin falë renditjes në Ligën e Kombeve, e cila i siguroi një vend në fazën shtesë.


Në Cyrih FIFA zhvilloi shortin për turnetë e ‘play-off’-it, ku 16 kombëtare u ndanë në katër vazo, për të formuar katër mini-turne kualifikues. Fituesit e secilit turne do të marrin pjesë në Botërorin e ardhshëm. Maqedonia e Veriut e priti shortin nga vazoja e katërt, me kundërshtarë të mundshëm si Italia, Turqia, Ukraina dhe Danimarka.

Fati vendosi që kundërshtari i Maqedonisë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it do të jetë Danimarka. Ndeshja do të zhvillohet më 26 mars në udhëtim. Në rast të fitores të kësaj sfide, përfaqësuesja do të kalojë në finale, e cila do të luhet më 31 mars me fituesin e duelit Çekia – Irlanda Veriore dhe do të vendosë përfundimisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. /Telegrafi/

telegrafi sport app