Shteti ka arkëtuar mbi tre milionë euro vetëm për vitin 2020 nga persona që kanë punuar jashtë vendit ose për kompani të huaja nga vendi, e që nuk kanë deklaruar tatim për atë vit. Drejtoresha e DAP-it Elena Petrova, thotë se janë përgatitur urdhëresa për 6.600 qytetarë, prej të cilëve 2.200 i kanë dorëzuar përllogaritjet ndërsa 4.400 kanë marrë ftesa.

“Sa i përket tatimit të këtyre mbi 11 mijë qytetarëve, deri më tani është përcaktuar tatim për 6.600 qytetarë për vitin 2020, që do të thotë se për të tjerët është konstatuar se të ardhurat nuk i nënshtrohen tatimit. Nga këta 6.600 qytetarë, 2.200 vetë kanë dorëzuar vetë përllogaritjen për tatim, pra e kanë llogaritur dhe deklaruar vetë tatimin, ndërsa për 4.400 qytetarë janë marrë aktvendime me detyrë zyrtare. Tatimi i përcaktuar gjithsej arrin rreth 186 milionë denarë, pra rreth tre milionë euro për vitin 2020”, tha Elena Petrova – drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.


Ndërkohë qytetarët që një kohë kishin punuar në Afganistan dhe Irak, sot protestuan sërish në Kumanovë duke kërkuar një përcaktim të duhur të rezidencës tatimore. Qytetarët kërkuan që Institucionet të njohin provat e pasaportave dhe certifikatat e punëdhënësit si dëshmi se kanë qenë jashtë vendit për më shumë se 183 ditë.

Por drejtoresha e DAP-it Petrova thotë se paralajmërimi i një pjese të qytetarëve për padi është e drejta e tyre ligjore dhe i fton ata të dorëzojnë prova për tatimin e paguar jashtë vendit, me qëllim që të vërtetohet nëse mund të pranohet.

“Kemi informacione edhe për qytetarët që protestojnë dhe se do të nisin konteste administrative, që sigurisht është e drejta e tyre legjitime. Ngritja e një kontesti administrativ përbën formë të mbrojtjes juridike dhe masë të parashikuar me ligj. Ne as mundemi, as duam t’i pengojmë qytetarët që mendojnë se disponojnë me prova mbi bazën e të cilave mund të nisin kontest administrativ. Njëkohësisht, ata janë të ftuar edhe tek ne të dorëzojnë provat, që të mund të vërtetojmë nëse vërtet është paguar tatim jashtë vendit dhe nëse ai mund të pranohet”, u shpreh Elena Petrova – drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

DAP sqaron se të gjitha të ardhurat nga jashtë: paga, honorare, shërbime frilens, qira, fitime kapitale, kriptovaluta, dividentë e të ngjashme, i nënshtrohen tatimit. Përjashtim janë hyrjet që nuk përbëjnë të ardhura, si dhurata, ndihma familjare ose pagesa përmes Western Union, Ria dhe MoneyGram./Alsat/