Maqedonci reagon pas deklaratave të Vuçiqit: Kosova do të forcojë kapacitetet mbrojtëse

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq të bëra gjatë prezantimit të strategjisë “Serbia 2030”, ku ai tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se aktualisht nuk ka partner për dialog në Kosovë.
Maqedonci tha se këto deklarata përbëjnë vazhdim të një narrative politike që mohon realitetin dhe që, sipas tij, synon të mbajë nën tension të gjithë rajonin.
Ai tha se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve, duke theksuar se ky realitet është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike apo strategjive të brendshme të Serbisë.
Ministri i Mbrojtjes ngriti shqetësim edhe për planet e paralajmëruara në kuadër të strategjisë “Serbia 2030”, ku përfshihen rritje të shpenzimeve ushtarake, investime shumë miliardëshe në armatim, zhvillimi i industrisë së dronëve dhe krijimi i një ushtrie të avancuar digjitale.
Sipas Maqedoncit, kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë e saj, si dhe me projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”, ato krijojnë shqetësime reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ai përmendi edhe zhvillimet e viteve të fundit, përfshirë sulmin e armatosur në Banjska, për të cilin autoritetet e Kosovës kanë akuzuar struktura të mbështetura nga Serbia.
Maqedonci theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për dialog të sinqertë që do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë ndërmjet dy shteteve sovrane.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të forcojë kapacitetet mbrojtëse, të zhvillojë Forca e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve profesionale dhe të thellojë bashkëpunimin strategjik me partnerët euro-atlantikë, duke theksuar se siguria dhe sovraniteti i vendit janë të panegociueshme./Telegrafi/




















































