Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka marrë pjesë në punimet e sesionit plenar të Ministerialit ShBA – Karta e Adriatikut (A5).

Maqedonci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë fjalës së tij ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe bashkëpunimit rajonal.


Sipas tij, Kosova po ndërton një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve civile dhe ushtarake, në përputhje me standardet e NATO-s, për t’u përballur me krizat, kërcënimet kibernetike dhe operacionet hibride.

“Nënvizova se sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë tregoi qartë se rajoni ynë vazhdon të përballet me kërcënime dhe rreziqe të nxitura nga aktorë shtetërorë. Mbështetja e përgjegjësve të këtij sulmi të armatosur nga struktura shtetërore në Serbi është e papranueshme dhe e rrezikshme për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.

Tutje Maqedonci theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, bashkëpunimit dhe vlerave euroatlantike.

“Besojmë se vetëm përmes koordinimit rajonal, ushtrimeve të përbashkëta, mbrojtjes kibernetike dhe përgjegjësisë politike mund të ndërtojmë një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Republika e Kosovës është e gatshme të punojë me çdo partner që zgjedh rrugën e paqes, përgjegjësisë dhe respektit të ndërsjellë”. /Telegrafi/