Man Utd po e konsideron rikthimin e ish-lojtarit në stol nëse e shkarkojnë Ruben Amorim

Manchester United thuhet se po shqyrton mundësinë për ta emëruar Michael Carrick si trajner të përkohshëm për herë të dytë, në rast se Ruben Amorim shkarkohet nga detyra pas rezultateve të dobëta në fillim të sezonit.
Trajneri portugez është nën presion gjithnjë në rritje, dhe bashkëpronari i klubit, Sir Jim Ratcliffe, mund t’i drejtohet një fytyre të njohur për ta stabilizuar situatën në “Old Trafford”.
Sipas The Sun, United po monitoron nga afër disa opsione të mundshme për ta zëvendësuar Amorimin, megjithatë për momentin po vazhdojnë ta mbështesin trajnerin 40-vjeçar.
Michael Carrick është përmendur si një zgjedhje e mundshme për trajner të përkohshëm, pasi e ka mbajtur më parë këtë rol pas largimit të Ole Gunnar Solskjaer në vitin 2021, ku regjistroi dy fitore dhe një barazim para se Ralf Rangnick të emërohej trajner i përkohshëm.
Ish-ndihmësi i United, Rene Meulensteen, e ka cilësuar Carrickun si një alternativë të mirë për të ardhmen.
“Michael Carrick mund të jetë opsioni më i dukshëm nëse Ruben Amorim largohet. Ai ende njeh disa nga lojtarët që ishin aty kur ai ishte pjesë e klubit, kështu që ka informacion të mirë nga brenda”.
“Ai e njeh klubin. E di çfarë pritet prej tij në atë rol. Kjo është diçka që ndodh gjithmonë, emrat gjithmonë hidhen në tavolinë”, ka thënë Meulensteen./Telegrafi/





















































