Ish-mbrojtësi i Manchester United, Clayton Blackmore, i ka bërë thirrje klubit të rikthejë në skuadër portierin David de Gea, duke e cilësuar largimin e tij si një nga gabimet më të mëdha të periudhës së Erik ten Hag.

Në vitin 2023, Ten Hag – tashmë trajner i Bayer Leverkusen – vendosi të mos rinovojë kontratën e De Geas, duke e zëvendësuar me Andre Onana për 47 milionë funte. Megjithatë, Onana nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij.


"Nëse është e mundur, United duhet ta rikthejë De Gean. Unë do ta ktheja pa dyshim, mendoj se është portieri më i mirë që kam parë ndonjëherë" – deklaroi 60-vjeçari Blackmore për mediat angleze.

De Gea e mbylli sezonin e fundit te Manchester United duke fituar çmimin "Doreza e Artë", pasi arriti të ruajë portën e paprekur në 15 ndeshje, ndërkohë që në total zhvilloi 545 paraqitje me fanellën e klubit.

Megjithatë, rikthimi i tij në Old Trafford duket i vështirë, pasi De Gea ka firmosur së fundmi një kontratë trevjeçare me Fiorentinën dhe tashmë është në një fazë tjetër të karrierës.

Pavarësisht kësaj, portieri spanjoll do të rikthehet në Old Trafford këtë verë, kur Manchester United do të përballet me Fiorentinën në një miqësore parasezonale – një moment emocional për De Gean dhe tifozët e "Djajve të Kuq". /Telegrafi/