Komuna e Malishevës tashmë ka një emër të ri në mesin e akademikëve. Fitim Kastrati nga fshati Balincë ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës në fushën e biologjisë, duke fituar titullin prestigjioz Doktor Shkence.

Studimet doktorale i zhvilloi në Fakultetin e Shkencave Matematik-Natyrore, në kuadër të programit "Biologji e organizmave dhe ekologji". Tema e tij kërkimore u fokusua në një fushë të avancuar të biologjisë:


Mekanizmat fiziologjikë dhe molekularë të tolerancës ndaj të ftohtit dhe ngrirjes te bimët e ringjalljes nga gjinia Ramonda në Kosovë – një studim që sjell kontribut të rëndësishëm në kuptimin shkencor të adaptimit të bimëve ndaj kushteve ekstreme klimatike.

Fitim Kastrati doktorratura e1751443596885 Fitim Kastrati

Në një postim të ndarë në Facebook, Kastrati shprehu emocionet e tij pas përfundimit të këtij kapitulli të rëndësishëm akademik. Ai falënderoi mentorin e tij, Prof. Bekim Gashi, si dhe bashkëpunëtorët dhe familjen që e mbështetën gjatë gjithë rrugëtimit.

“Me kënaqësi të veçantë dëshiroj të ndaj me ju lajmin se sot kam përfunduar studimet e doktoratës dhe kam mbrojtur me sukses temën time të doktoratës. Pas një udhëtimi kërkimor sfidues dhe pasionant, plot përkushtim, netë të gjata pune dhe përvoja të vlefshme akademike, jam më se i lumtur për këtë arritje. Ky udhëtim akademik ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme e rritjes profesionale dhe personale. Jam thellësisht falënderues për mbështetjen e vazhdueshme mentorit tim Prof. Bekim Gashi dhe të gjithë bashkëpunëtorëve për kontributin e dhënë. Jam mirënjohës familjes sime për mbështetjen e pakusht, duke më qëndruar pranë në çdo hap të këtij rrugëtimi, jo gjithmonë të lehtë por çdoherë frymëzues. Pa ju, ky sukses i imi do të ishte i pamundur!", ka shkruar ai.

Me këtë arritje, Fitim Kastrati jo vetëm që përmbush një qëllim personal, por edhe i kontribuon komunitetit shkencor dhe lokal me një kapitull të ri të dijes dhe përkushtimit profesional. /Telegrafi/