MAHMURLLËQET

Poezi nga: Charles Bukowski Përktheu: Fadil Bajrajme siguri se i kam pasur më shumë se kushdo tjetër dhe ende s'më kanë mbytur sado që disa nga ato mëngjese më dukeshin tmerrësisht ngat vdekjes. siç e dini, më së keqi është të pish në bark të thatë, duke ndezur cigare pas cigares e duke përmbysur dolli të shumta dhe turlifare. e mahmurllëqet më të zeza janë kur çohesh në veturën tënde apo në ndonjë dhomë të panjohur apo në ndonjë skutë apo në burg mahmurllëqet më të këqija janë kur çohesh e kupton se mbramë ke bërë diç absolutisht të mbrapshtë, të pakuptimtë dhe mbase të rrezikshme por nuk mundesh bash të kujtohesh se çka. e zgjohesh në gjendje të ndryshme kaosi - me pjesë të dëmtuara trupi, me para të zhdukura dhe/ose mundësisht dhe shpeshherë me makinë të zhdukur, nëse e ke pasur. mund të thërrasësh zoçkën tënde, nëse ke qenë me të, më së shpeshti që do të ta mbyll dëgjuesen sapo të ta njoh zërin. ose nëse është në atë çast me ty, ta ndiesh mllefin e saj të tërbuar e të papërmbajtur. pijanecëve kurrë s'u falet. por pijanecët vetvetes do t'ia falin ngase prapë duhet të pinë. duhet qëndrueshmëri e pafe që njeriu të mbetet pijanec gjatë shumë dekadash. zdërhallja t'i shfaros ortakët. ti vetë përherë zvarritesh nëpër spitale ku shpesh të bombardojnë me paralajmërime: "Edhe një pije dhe do të jesh i vdekur." dhe pasi që jeta jote i afrohet kufirit të tri katërtave të shekullit zbulon se të duhet shumë e më shumë pije për t'u dehur. edhe mahmurllëqet janë edhe më të këqija, këndellja zgjat më shumë. e budallallëku më i pabesueshëm është se aspak s'të vjen keq që të gjitha këto i ke bërë dhe se këto ende i bën. tash po rri e po e shtyp këtë nën zgjedhën e një prej mahmurllëqeve më të zeza në jetë derisa në përdhesë mrizojnë gjithfarë e turlifarë shishesh alkooli. krejt kjo ka qenë aq shtazarakisht bukur ai lumë i marrë, ajo marrëzi depërtuese shkatërrimtare të cilën s'do t'ia dëshiroja askujt përveç vetes, amin.



















































