LAJMI I FUNDIT:

Madagaskari ka tërhequr njohjen, MPJ e Kosovës e quan propagandë – Pacolli po qëndron në këtë shtet afrikan

Madagaskari ka tërhequr njohjen, MPJ e Kosovës e quan propagandë – Pacolli po qëndron në këtë shtet afrikan

Vazhdon fushata e shtetit serb ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Mediat serbe raportojnë se edhe një shtet tjetër ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Sipas këtyre mediave, ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, ka njoftuar se Republika e Madagaskarit ka vendosur ta tërheq vendimin e saj për njohjen e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Kemi pranuar notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Madagaskarit, me të cilën jemi njoftuar se me 5 dhjetor, Republika e Madagaskarit ka marrë vendim që ta tërheq njohjen e Kosovës”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, transmeton Telegrafi.


Sipas shefit të diplomacisë serbe, Madagaskari është vendi i 12-të që ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Ndërkaq për Telegrafin, Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme i Kosovës, ka thënë se MPJ e Kosovës nuk afirmon të ashtuquajturën praktikën e çnjohjes të promovuar nga Serbia përmes lajmeve të rreme dhe propagandës që njëherësh janë tregues i pafuqisë së saj.

“Për politikën e jashtme dhe diplomacinë, është me rëndësi forcimi i lidhjeve me të gjitha shtetet duke përfshirë edhe Madagaskarin”, ka shtuar Haxholli.

Ndryshe, sipas tij ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është në një mini-turne në vendet afrikane dhe për momentin po qëndron në Madagaskar, ku ka takuar presidentin dhe personalitete të këtij shteti. /Telegrafi/