Macron thotë se Franca do të ndërtojë një aeroplanmbajtëse të re

Franca do të ndërtojë një aeroplanmbajtëse të re për marinën e vendit, njoftoi të dielën presidenti Emmanuel Macron.
"Ne duhet të jemi të fortë që të na kenë frikë, dhe veçanërisht të fortë në det. Kjo është arsyeja pse, në përputhje me dy ligjet e fundit të programimit ushtarak dhe pas një shqyrtimi të plotë dhe tërësor, kam vendosur ta pajis Francën me një aeroplanmbajtëse të re", ka thënë Macron ndërsa iu drejtua trupave franceze në një bazë ushtarake në Abu Dhabi të dielën.
Ai vuri në dukje se vendimi për të nisur programin "në shkallë të gjerë" u mor këtë javë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç theksohet më tej, aeroplanmbajtësja e re e Marinës Franceze synon të zëvendësojë aeroplanmbajtësen aktuale Charles de Gaulle në fund të viteve 2030, sipas transmetuesit BFMTV.
"Kjo aeroplanmbajtëse e re do të jetë një ilustrim i fuqisë së kombit tonë, fuqisë së industrisë dhe teknologjisë, fuqisë së vendosur në shërbim të lirisë në det dhe mes trazirave të kohës sonë", tha më tej Macron.
Presidenti francez mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën për të kaluar Krishtlindjet me trupat franceze dhe për të zhvilluar bisedime me shtetin e Gjirit mbi marrëdhëniet dypalëshe. /Telegrafi/

















































