Kryeministri në detyrë dhe mandatar për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur mandatin e tretë në pushtet.

Në këtë situatë, njohësi i rrethanave politike dhe ish-shefi i misionit diplomatik të Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje ka ende një mundësi tjetër brenda afateve kushtetuese.


“LVV ende e ka një tjetër mundësi për të propozuar një mandatar për kryeministër, siç është Glauk Konjufca, nëse mendon se ai mund t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend. Nëse partitë politike nuk dëshirojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje, mund të formohet një qeveri teknike kalimtare, e cila do të merrej vetëm me përgatitjen e zgjedhjeve – siç bëjnë shumë shtete demokratike”, ka deklaruar Ukshini në Tv Dukagjini.

Sylë Ukshini

Ai ka theksuar se kompromisi është thelbi i demokracisë dhe ka bërë thirrje për shmangien e gjuhës përçarëse.
“Operimi me termat ‘tradhtar’, ‘ju jeni me Beogradin’ e të tjera, duhet të shmangen në diskursin politik”, ka shtuar Ukshini.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

Gjykata ka sqaruar se Presidenti/ja i vendit nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e “gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë”, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese (relative) e zgjedhjeve.

Ky mandat mund t’i jepet SËRISH partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose CILËSDO parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend).

Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi “kandidat tjetër” nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri.

Pas dështimit të Kurtit, partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të bëjnë shumicën dhe se vendi duhet të përgatitet për zgjedhje të reja.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që menjëherë të shpallen zgjedhjet, të cilat, sipas Kushtetutës, duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.