Udhëheqësit e Iranit përballen tani me një rrezik të paprecedentë. Regjimi nuk është më i qëndrueshëm dhe mekanizmat globalë për shmangien e konfliktit nuk funksionojnë më.

Nga: Sanam Vakil / The Guardian (titulli: War, a Trump-imposed deal or internal regime collapse: for Tehran, none of the options are good)
Përkthimi: Telegrafi.com


Dyzet e shtatë vjet pas revolucionit iranian, Irani po përballet me një realitet strategjik që nuk e ka përjetuar më parë - një krizë të njëkohshme e legjitimitetit të brendshëm dhe një kërcënim të besueshëm nga jashtë, aq serioz sa mbijetesa e regjimit nuk mund të merret më si e mirëqenë. Deri tani, Teherani i ka mbijetuar luftërave, sanksioneve, vrasjeve, protestave masive dhe izolimit ndërkombëtar përmes një strategjie që përfshin projektimin e forcës jashtë vendit, shtypjen e disidencës brenda dhe krijimin e një krize të përhershme për të justifikuar udhëheqjen e dobët dhe dështimin politik.

Sot, Donald Trumpi ka mobilizuar “armadën” në Lindjen e Mesme që përfshin grupin e sulmit të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, shkatërruesit me raketa të dirigjuara, një prani e zgjeruar ajrore dhe sisteme të mbrojtjes raketore. Ky demonstrim force sugjeron se ShBA-ja nuk është më e fokusuar në frenimin e Iranit, por në imponimin e një zgjidhjeje përfundimtare të një konflikti të gjatë. Zgjedhja që paraqitet është ose pranimi i një marrëveshjeje të imponuar nga ShBA-ja, ose shkatërrimi i Republikës Islamike siç ekziston sot.

Veprimet e Trumpit gjatë mandatit të tij të parë si president përfshinin braktisjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, rivendosjen e sanksioneve gjithëpërfshirëse dhe vrasjen e komandantit të Forcës Quds, Qassem Suleimani, në vitin 2020, duke paralajmëruar një qasje të re ndaj një armiku të kahershëm. Tani që është kthyer në detyrë, ai duket i vendosur ta përfundojë atë projekt duke e detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje sipas kushteve amerikane ose të përballet me sulme ushtarake që synojnë çmontimin e regjimit.

Për Iranin, ky është një moment i paprecedentë. Që nga viti 1979, regjimi nuk është përballur me kërcënime serioze në të njëjtën kohë - si ndaj legjitimitetit të tij të brendshëm, ashtu edhe ndaj aftësisë për të trembur armiqtë jashtë vendit. Brenda vendit, sistemi është i rraskapitur. Vite të tëra me rënie ekonomike, korrupsion, kolaps i valutës dhe emigrimi masiv e kanë dobësuar kontratën shoqërore. Protestat që nga viti 2017, përfshirë kryengritjen “Grua, Jetë, Liri” të vitit 2022 dhe demonstratat masive të muajit të fundit, tregojnë një shoqëri që nuk ia ka më frikën shtetit. Protestuesit janë bërë më të guximshëm dhe më të zemëruar, edhe pse kostoja e mospajtimit është rritur ndjeshëm. Në fakt, goditja e janarit ishte më e dhunshmja në historinë e regjimit, me mbi 6 000 persona të konfirmuar të vrarë dhe edhe 17 000 vdekje të tjera të regjistruara ende nën hetim.

Jashtë vendit, Irani e ka humbur kontrollin, dhe projekti i tij rajonal i fuqisë është shkërmoqur. Që nga 7 tetori, fushata sistematike e Izraelit kundër të ashtuquajturit bosht të rezistencës iraniane ka gërryer ndjesinë e sigurisë së Teheranit. Përmes sulmeve të hapura ajrore në të gjithë rajonin dhe në vetë Iran, vrasjeve që kishin cak njerëz të nivelit të lartë dhe operacioneve kibernetike që kulmuan me luftën 12-ditore të verës së kaluar, Izraeli e ka zhvendosur luftën e fshehtë në një konflikt të hapur dhe, në këtë mënyrë, e ka shtyrë aktivisht Iranin drejt një ballafaqimi të drejtpërdrejtë me ShBA-në.

Në të njëjtën kohë, Irani i ka krijuar vetë kushtet e dobësisë së tij. Përpjekjet e tij për të ndërtuar ndikimin përmes milicive në Irak, Siri, Liban dhe Jemen kishin për qëllim të shmangnin sulmet duke rritur koston e luftës. Në vend të kësaj, ato kanë krijuar pika të shumta ekspozimi. Loja me pragun bërthamor, dikur një mjet për presion, tani është bërë justifikimi kryesor për presion ndërkombëtar. Ideologjia e tij revolucionare, dikur një mjet për mobilizim, tani e lë gjithnjë e më të izoluar në një rajon që është lodhur nga konfliktet ideologjike.

Pyetja kryesore për ditët në vijim nuk është nëse do të ndodhë përballja, por në çfarë forme do të ndodhë ajo.

Skenari i parë është kompromisi i detyruar. Nën presion të madh, Irani pranon një marrëveshje që kufizon programin e tij bërthamor, lejon inspektime të bezdisshme, vendos kufizime për aftësitë raketore dhe e redukton rolin e tij rajonal në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe ndoshta investimeve të ardhshme amerikane në vend. Kjo mund të parandalojë luftën e menjëhershme, por do të ketë një kosto të madhe politike. Marrëveshja e tillë do të shihej brenda Iranit si pazar për hir të mbijetesës së regjimit.

Skenari i dytë është lufta e kontrolluar. ShBA-ja do të koordinonte sulmet ndaj udhëheqjes iraniane, forcave raketore, mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturës bërthamore që mbetet, duke synuar të gjymtojë regjimin. Kjo ndoshta do të shkaktonte një përshkallëzim rajonal iranian që varion nga sulmet mbi bazat amerikane, rrugët detare dhe qytetet izraelite, ndoshta edhe me mobilizim të ndërmjetësve [proxy] përreth Gjirit. Qëllimi në këtë skenar do të ishte transformimi i regjimit, por rezultati me siguri do të sillte paqëndrueshmëri të zgjatur, fragmentim të elitës dhe një luftë të dhunshme për drejtimin e ardhshëm.

Skenari i tretë është kolapsi i pakontrolluar. Nën presion të kombinuar nga jashtë dhe nga trazirat e brendshme, regjimi thyhet, duke prodhuar jo një tranzicion liberal, por një vakum pushteti. Faksionet konkurruese të sigurisë, kolapsi ekonomik dhe ndërhyrjet rajonale mund ta kthejnë Iranin në një burim afatgjatë të paqëndrueshmërisë - duke sjellë ndër mend imazhet e Libisë dhe Sirisë - që do të prodhonte një rezultat më të rrezikshëm sesa regjimi që zëvendëson.

Në të tre skenarët, rezultati është i rrezikshëm për popullin iranian. Qoftë përmes kompromisit të detyruar, luftës së kufizuar apo kolapsit të regjimit, asnjë nga rrugët e mundshme nuk çon drejt stabilitetit të menjëhershëm apo tranzicionit demokratik. Për më tepër, të gjitha palët - Izraeli, ShBA-ja dhe Irani - janë të bllokuara në një logjikë përshkallëzimi dhe jo përmbajtjeje.

Kjo është ajo që e bën momentin aktual të jetë kaq i rrezikshëm. Nuk ka më frena të vërtetë diplomatike. Sistemet dhe mekanizmat që më parë mbanin konfliktin të përmbajtur, nuk funksionojnë më. Evropa nuk ka më asnjë rol për të ndërmjetësuar me Iranin. Rusia është e përqendruar në luftën e saj në Ukrainë dhe nuk është e gatshme të investojë në zgjidhje. Kina është e kujdesshme dhe nuk dëshiron të udhëheqë. Shtetet rajonale po përpiqen të ndërhyjnë dhe të menaxhojnë diplomacinë e çastit të fundit, por njëkohësisht po përgatiten për atë që vjen.

Për Iranin dhe për Lindjen e Mesme në përgjithësi, pyetja nuk është më nëse kriza mund të zbutet, por sa shumë dëm do të shkaktojë përpara se të përfundojë. /Telegrafi/