Lufta në Iran rrit çmimet e produkteve të importuara në Shqipëri

Rritja e çmimit të naftës në botë ka sjellë produkte bujqësore më të shtrenjta në Shqipëri.
“Speci është nga Greqia dhe ka shënuar një rritje prej 10–20 lekësh më shumë për kilogram; po ashtu vlen edhe për patëllxhanin dhe domaten e importit. Kjo e fundit ka pësuar rritjen më të madhe”, u shpreh tregtarja.
Për qytetarët, këto produkte janë të pakonsumueshme, jo për shkak të shijes, por për shkak të çmimit të lartë, raporton tch.
“Janë shtrenjtuar shumë, nuk mund t’i blejmë. Unë nuk i afrohem produkteve të shtrenjta; marr nga më të lirat. Ja, më e shtrenjta nga të gjitha është domatja”, shprehen qytetarët.
Klima mesdhetare e Shqipërisë ka shpëtuar disa prej perimeve që kultivohen masivisht në sera, si trangulli dhe kungulli, por ky konstatim nuk vlen për mashurkën.
“Kungulli është i lirë sepse është vendas, ndërsa mashurka prodhohet në Shkodër, por mbillet shumë pak,” u shpreh tregtarja.
Rruga që përshkojnë kamionët e importit është e njëjtë në kilometra, por jo në kosto. Shtrenjtimi i lëndëve djegëse pritet të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit për muajin mars.
“Nafta përbën afërsisht 50% të kostove totale në sektorin e transportit. Për qytetarët shqiptarë, rritja e çmimeve të perimeve ka shkuar në 20 për qind”, u shpreh Eduart Gjokutaj, ekspert i ekonomisë.
Nga ana tjetër, deri më tani produktet bazë të shportës, si vaji, mielli dhe makaronat, për qytetarët kanë të njëjtat çmime që shënonin në kohë paqeje.




















































