Trajneri Alvaro Arbeloa nuk ka hezituar të bëjë një deklaratë të fortë pas fitores 2-0 të Real Madridit ndaj Levantes, duke zbuluar publikisht se cilët janë liderët e skuadrës së tij.

Trajneri madrilen vuri në qendër katër emra kryesorë të ekipit, për të cilët tha se japin gjithçka për klubin madrilen.


“Jude Bellingham është një nga liderët, ashtu si Mbappe, Vini Jr. dhe Valverde”.

“Janë lojtarë të destinuar të bëjnë gjëra të mëdha te Real Madridi. Janë katër nga lojtarët më të mirë në botë dhe liderët e këtij ekipi”.

“Janë futbollistët te të cilët duhet të mbështetesh gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë mirë”.

“Do të përpiqem të punoj me ta për të nxjerrë më të mirën e tyre, për t’i bërë të lumtur, për t’i bërë ta shijojnë lojën dhe për t’u siguruar që do të qëndrojnë te Real Madridi për të fituar shumë tituj, sepse këtë e meritojnë dhe sepse e kanë cilësinë për ta bërë”, deklaroi Arbeloa.

Fillimi i Arbeloas në stolin e “Los Blancos” nuk ishte ideal, pasi debutimi i tij erdhi me një eliminim surprizë në Kupë ndaj Albacetes. Megjithatë, ndeshja e parë në La Liga nisi me fitore dhe trajneri spanjoll shpreson të vazhdojë në këtë ritëm.

Ajo që ka rënë në sy është fakti se Arbeloa nuk e përmendi Dani Carvajalin mes liderëve të ekipit, pavarësisht rolit të rëndësishëm dhe eksperiencës së mbrojtësit në dhomat e zhveshjes./Telegrafi

telegrafi sport app