Një gjest i pazakontë u shënua të enjten në Poloni, gjatë ndeshjes mes Oleksandriyas dhe Partizanit të Beogradit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Futbollistët e skuadrës ukrainase zgjodhën të mos i shtrëngonin duart me lojtarët e Partizanit para fillimit të takimit – një akt i heshtur proteste që u shoqërua me prezantimin e tyre në fushë të mbështjellë me flamurin kombëtar të Ukrainës.


Sipas mediave kroate, ky bojkot vjen si reagim ndaj marrëdhënieve të ngushta mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe pjesëmarrjes së Partizanit në një turne të zhvilluar në territorin rus – një veprim që klubi ukrainas e ka cilësuar si provokues dhe armiqësor, në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë.

Tensioni nuk mungoi as në tribuna.

Raportohet se një pjesë e tifozëve ukrainas kanë kënduar slogane të dhunshme, përfshirë edhe thirrjen “Vrite serbin” – një moment që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe më gjerë.

Pavarësisht protestës dhe atmosferës së tensionuar, Partizani doli fitues nga ndeshja, duke triumfuar me rezultat 2-0 dhe duke siguruar një epërsi të rëndësishme për ndeshjen e kthimit. /Telegrafi/

telegrafi sport app