Liverpooli i vendosur të nënshkruajë me talentin gjerman nga Bundesliga në verë

Liverpooli raportohet se po e konsideron seriozisht një lëvizje për yllin e Stuttgartit, Angelo Stiller, pasi klubi anglez po kërkon të përmirësojë mesfushën e tyre.
Dominik Szoboszlai, Alexis Mac Allister dhe Ryan Gravenberch që të gjithë kanë kontribuar në mesfushën e Liverpoolit, e cila ka qenë shtylla kurrizore e triumfit të tyre në Ligën Premier.
Sidoqoftë, në pjesën e fundit të sezonit ‘Të Kuqtë’ kanë vuajtur shumë në mesfushë, pasi lodhja e lojtarëve ka luajtur një rol të madh.
E përditshmja gjermane Stuttgarter-Nachrichten ka zbuluar tani se Liverpooli po planifikon të bëjë një lëvizje për Stiller në verë.
Fichajes ka raportuar se pjekuria taktike e Stiller dhe aftësia për të organizuar lojën nga mesfusha, ka impresionuar trajnerin Arne Slot, i cili e ka vendosur gjermanin në listën e tij të prioriteteve.
Sipas Stuttgarter-Nachrichten, Stuttgarti pritet të kërkojë një shumë prej 60 milionë eurosh për 24-vjeçarin, me raportimet që sugjerojnë se Liverpooli mund të jetë i hapur që ta plotësojë këtë kërkesë.
Stuttgarti po përpiqet të luftojë që të sigurojë një vend në Ligën e Konferencës dhe Stiller natyrisht do të jetë i fokusuar në këtë drejtim, para se të vendosë për të ardhmen e tij./Telegrafi/





































