Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se pas dështimit të marrëveshjeve politike për konstituimin e Kuvendit, tani pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ai deklaroi se Kushtetuesja tani  duhet të japë udhëzime të qarta për pasojat ligjore dhe hapat e ardhshëm, raporton Ekonomia Online.


Limaj tutje tha se marrëveshjet politike nuk u shfrytëzuan, ndërsa Nisma ka kontribuar për zhbllokimin e situatës.

“Nuk i shfrytëzuam marrëveshjet politike. Tani presim që Kushtetuesja të marrë vendimin për udhëzimet dhe pasojat juridike të këtij procesi. Ne kemi kontribuar për të ndihmuar në zhbllokim. Kjo tani është çështje e mbyllur dhe jemi në një realitet të ri”, ka thënë Limaj.

Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese të marrë parasysh interesin publik e shtetëror dhe të ndihmojë që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria.

“Jam i bindur se Kushtetuesja do të udhëzojë legjislativin që të mos përsëritet kjo situatë dhe të zgjidhet një herë e mirë çështja e konstituimit”, deklaroi Limaj.

Vendimi i Kushtetueses pritet deri më 8 gusht – kur përfundon afati i masës së përkohshme që u ndalon deputetëve të marrin vendime.