Gjatë ndeshjes së parë të raundit kualifikues në Ligën e Kampionëve ku Shkëndija luajti si mysafir i The New Saints, ndodhi një episod i pazakontë që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Futbollisti i TNS, Rory Holden, u detyrua të rikthehej në fushë me një fanellë ku numri ishte shkruar me stilolaps, pasi fanella e tij origjinale u mbulua me gjak pas një përplasjeje.


Incidenti ndodhi pak para fundit të pjesës së parë, kur gjyqtari Rob Hennessy e urdhëroi lojtarin të largohej nga loja për shkak të gjendjes së fanellës. Problemi? TNS nuk kishte një fanellë rezervë me numrin dhe emrin e Holden. Për ta zgjidhur situatën në mënyrë urgjente, një anëtar i stafit mori një fanellë të bardhë me shirita jeshilë dhe shkroi me stilolaps numrin "18" në shpinë, vetëm për ta kthyer lojtarin në lojë.

Kamerat televizive kapën momentin absurd kur numri u shkrua në nxitim e sipër në bankinë. Për fat, fanella e përkohshme u përdor vetëm për pak minuta, pasi menjëherë pas rikthimit të Holden, gjyqtari sinjalizoi fundin e pjesës së parë.

Mesfushori u kthye në pjesën e dytë me fanellën standarde me numër të printuar dhe u zëvendësua në minutën e 80-të.

Ndeshja përfundoi në barazim pa gola (0-0), ndërsa Shkëndija, synon kualifikimin në ndeshjen e kthimit që zhvillohet të martën e ardhshme (15 korrik) në Shkup. Fituesi i këtij dueli do të përballet me FCSB nga Rumania ose Inter Club d’Escaldes nga Andorra. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app