Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane: Kosova nuk duhet të kthehet mbrapa, politikanët të heqin dorë nga bllokadat

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka bërë thirrje publike për unitet dhe përgjegjësi politike në Kosovë, duke theksuar se është koha që liderët politikë të vendit të lënë anash interesat personale dhe partiake, dhe të heqin bllokadën që po pengon funksionimin normal të institucioneve.
Në një njoftim për media, Liga kujton se Kosova vazhdon të shihet nga aleatët ndërkombëtarë si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur përkrahjen që vendi ka marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës Perëndimore.
“Në mars të vitit 2025, kam shkruar se Shtetet e Bashkuara dhe gjithnjë e më shumë vende të Evropës Perëndimore po e njohin paqen dhe stabilitetin që banorët e Kosovës mund t’i sjellin Ballkanit Perëndimor, sepse Kosova nuk ka sulmuar kurrë ose nuk është përpjekur kurrë të pushtojë ndonjë territor, dhe sepse, nën Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, Kosova ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nën udhëheqjen e tyre, deputetja britanike Alicia Kearns, atëherë kryetare e Komitetit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, e quajti Kosovën “një fener të demokracisë në një fqinjësi të vështirë”.
Në të njëjtën kohë, sipas njoftimit gjithnjë e më shumë janë njohur përpjekjet e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me rritjen e kontrollit të tij mbi pushtetin në kurriz të popullatës serbe, lidhjet e tij me Rusinë dhe, si rrjedhojë, gatishmëria e tij për të minuar Kosovën.
"Edhe kur Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për të nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Vuçiq refuzoi të merrte pjesë".
Kryeministri Albin Kurti siç thuhet në njoftim ka insistuar se Kosova mund të bëjë një ndryshim themelor në rajon - për t'i dhënë fund konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës - por që kjo të bëhet realitet, Serbia duhet së pari të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Vetëm atëherë Kryeministri Kurti mund të ulet me Presidentin Vuçiq. Përndryshe, Vuçiqi do ta arrijë qëllimin e tij: Kosova do të copëtohet dhe nuk do të jetë më një vend. Kosova ka qenë mishërimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, dhe pse partitë më të vogla politike janë të gatshme të rrëzojnë qeverinë duke e ndjekur pushtetin personal në kurriz të popullit të saj? Partia e kryeministrit Kurti, Vetëvendosje, përfundoi e para në zgjedhjet parlamentare në mars, duke fituar 42 përqind të votave. PDK fitoi 21 përqind, LDK fitoi 19 përqind dhe AAK 8 përqind. Meqenëse Vetëvendosja nuk arriti të siguronte 61 vende të nevojshme për shumicën, PDK, LDK dhe AAK kanë punuar për të bllokuar Albin Kurtin nga formimi i qeverisë. Kjo është e rrezikshme për demokracinë në Kosovë dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në njoftim tutje thuhet se: “Është koha që politikanët e Kosovës të lënë anash interesat personale dhe partiake dhe të heqin bllokadën që pengon institucionet të ecin përpara. Do të ishte tragjike nëse Kosova të kthehet mbrapa, kur ajo mund të vazhdojë të ecë përpara si forca më progresive në rajon - vendi që mund ta karakterizojë veten në mënyrë unike si populli që ka jetuar krah për krah dhe në harmoni me shekuj me radhë si myslimanë laikë, të krishterë ortodoksë, katolikë romakë dhe hebrenj”. /Telegrafi/

















































