Nga: Josif Papagjoni
Sa mbarova së lexuari romanin “Libri i zi” të Orhan Pamukut, nobelistit të njohur turk, shkruar në vitet 1985-1989, libër i vëllimshëm mbi 550 faqe. Me romanet që kam lexuar më herët prej tij, si “Bora”, “Stambolli”, “Kështjella e bardhë” dhe sidomos “Unë jam e kuqja”, nuk më ka lënë kohë të “lodhem”, sidomos me këtë të fundit që është padyshim një nga kryeveprat e mëdha të letërsisë. Por, pse me romanin “Libri i zi” u vendosa në dilemë?
Ende s’po e gjej dot shkakun. Pra, pse nuk më pëlqeu, ose më drejt pse më lodhi! Kush është “fajtori”, unë apo romani? Si art, letërsia më së pari duhet të të kënaq. Ti mund të kapësh një temë të tillë, që ka mjaft filozofi së thelli, që zhbiron në trurin e njeriut dhe te luhatjet e tij, dilemat, dyshimet, paqëndrueshmëritë; temë ku ka dëshirë për meditim, që ka edhe një suspansë të krijuar nga e panjohura, mistikja, polisemia, e turbullta etj. Por, ama, ajo lipset të vijë përmes një historie tërheqëse.
Romani ka shumë pështjellim, mbivendosje dhe ndërkalime linjash, asaj që i themi: rrëfyesi, rrëfimi dhe e rrëfyera, ku të tria duket sikur shkrihen dhe ti e ke të vështirë të kapësh kuptimin e drejtpërdrejtë, atë se çfarë rrëfehet pikërisht. Ajo fshihet, dublohet, shumëfishohet, ndryshon, vihet në dyshim gjithçka, ajo që tani thuhet “kështu” fill më pas thuhet “ashtu”. Ndofta ky është edhe qëllimi: nuk ka tregim, një histori të qartë e të identifikueshme, por përsiatje, filozofim, zhbirilim.
E dyta që më lodhi, ndofta ishte teknika postmoderne e të shkruarit, mbivendosjet e shumta, kalimet dhe ikjet e shpeshta nga ngjarja që rrëfehet, e cila humbet, ngatërrohet qëllimisht, pra ajo që quhet “pastish”, tok me përshkrime objektesh, mjedisesh dhe situatash që mbeten pezull. Por, shijet e mia s’mund të jenë si të shumëkujt tjetri. Unë dua që edhe kur bëhet fjalë për romane kësisoj, simboli, metafora dhe nënshtresa kuptimore të më godas e të ma rrëmbejë trurin. S’di pse ky roman nuk e bëri këtë.
I ashtuquajturi “Libri i zi”, titull që e mban edhe vetë romani, është një dashuri e fshehtë, e pathënë, diku thellë e strukur, në një kujtesë të shkatërruar, mbetur në vitet e moshës që ikën dhe të plakjes, kur truri jeton mes përfytyrimeve, sendërgjimeve dhe jermit, kur kujtesa shkatërrohet dhe ti përzien e ngatërron kohët, ngjarjet, vetë njerëzit. Por më shumë, mbase, “libri i zi” është kërkimi i vetvetes në tjetërsimet e shumëfishta që jeta të ofron, duke u degëzuar së paku në dy të vërteta prej dy mendjeve të mëdha të historisë së filozofisë, mistikës dhe poezisë: Sokratit me sentencën “Njih vetveten” dhe Rumiut me fshehtësitë e jetës dhe vargjet e tij erotike homoseksuale. Një hije të ndjek përherë në narrativën e këtij romani: je ti apo dikush tjetër! Kjo shihet te projektimi i personazhit të Galipit: është ai vetë apo Xhelali, një gazetar i njohur, që në fund vritet nga dikush që s’merret vesh, në një Turqi të lodhur e të kërcënuar nga grushtet ushtarake të shtetit. Është po ashtu një linjë e dytë zotëruese: Ryjaja, të cilën e dashurojnë Galipi dhe Xhelali, të cilët janë dhe s’janë i njëjti person, dytës të njëri tjetrit, sikundër ajo vetë, Ryjaja, është dhe s’është e dashura e tyre. Dhe, më në fund, tjetërsimi jo thjesht i njeriut si i tillë, por edhe i kombeve, i shteteve, i historisë; tjetërsimi i Turqisë otomane me gjithë religjionin dhe antropologjinë e saj në një Turqi që “evropianizohet” me zor, i Stambollit të dikurshëm në një tjetër Stamboll, prandaj dhe ajo vuan pasojat e këtij procesi, e gjendur thuajse në dyzim, e përplasur mes dy kohëve, asaj të sulltanëve të dikurshëm dhe asaj që ka nisur me kohë të modernizohet.
Lëngata e kërkimit të vetvetes mbetet një problem madhor, thelbor, ontologjik dhe i përjetshëm i qenies njerëzore. Vërtet jeta jonë, mendja jonë, shpirti ynë, pra dhe personaliteti ynë lundron në këtë dyzim të pambarimtë e kapitës midis vetes dhe “tjetrit”… Pikërisht te kjo ide vola disa kënaqësi falë një simbolike që hynte në tërë kapilarët e mendimit të romanit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit

Thënie nga Gjergj Fishta: Më dhemb kryet nga njato parla-parla të parlamentarëve - dokrra pa kokrra!

Ç’është socializmi?

Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Adeline Virginia Stephen, jeta dhe veprat

Fjalët e fundit të Gjon Destanishës, para ekzekutimit në Prishtinë: Rrnoftë Shqipnia, rrnoftë Flamuri kombëtar!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët