Më 10 tetor 2025 në ora 18:00, Libraria Dukagjini do të hapë zyrtarisht pikën e saj më të re në qytetin e Pejës, në sheshin e Dëshmorëve përballë Hotelit Dukagjini.

Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e gjatë të një prej librarive më të njohura dhe më me traditë në Kosovë, e cila prej dekadash është bërë simbol i librit, dijes dhe kulturës.


Për të festuar këtë hapje, nga 10 deri më 19 tetor, çdo produkt i librarisë së re në Pejë – nga librat e deri te aksesorët– do të ofrohet me 20% zbritje, një gjest falënderimi për lexuesit besnikë dhe një ftesë për vizitorët e rinj.

Libraria Dukagjini nuk është thjesht një vend ku blihen libra. Që nga viti 2000, kur hapi dyert për herë të parë në Prishtinë ishte një nga shtyllat e kulturës së leximit në Kosovë. Në kohëra të vështira për vendin, Dukagjini ruajti frymën e dijes dhe ofroi një hapësirë ku libri ishte gjithmonë i pranishëm. Me kalimin e viteve u shndërrua në një emër të pandarë për dashamirët e librit, duke zgjeruar praninë e tij me hapjen e pikës së re në Prishtina Mall në vitin 2023, dhe tani edhe Peja i shtohet kësaj harte të kulturës së leximit.

Hapja e një librarie të re në Pejë nuk është rastësi. Ky qytet ka një traditë të pasur kulturore e arsimore dhe një komunitet lexuesish që gjithmonë i ka dhënë vlerë librit. Vendndodhja në sheshin e Dëshmorëve përballë Hotelit Dukagjini e bën pikën e re të lehtë për t’u gjetur dhepër t’u vizituar, qoftë nga qytetarët e Pejës apo nga vizitorët që i kthejnë sytë nga ky qytet çdo vit. Për lexuesit, kjo do të thotë më shumë akses te librat dhe produktet që u duhen, ndërsa për qytetin, një hapësirë e re ku kultura mund të zhvillohet edhe më tej.

Në raftet e Librarisë Dukagjini lexuesit mund të gjejnë një gamë të gjerë botimesh: nga klasikët e letërsisë botërore deri te autorët më të rinj shqiptarë, nga librat akademikë e shkollorë deri te fjalorët dhe botimet referenciale, nga librat për fëmijë plot ilustrime të bukura e deri te aksesorët dhe dhuratat. Ky diversitet e ka bërë Dukagjinin të veçantë, sepse nuk është vetëm një librari, por një hapësirë ku secili gjen diçka për vete, pavarësisht moshës apo profesionit.

Në një kohë kur ekrani shpesh dominon jetën e përditshme, librat mbeten një burim i pazëvendësueshëm i dijes, frymëzimit dhe qetësisë shpirtërore.

Dhe një qytet me një librari të re është gjithmonë një qytet më i pasur.