Letra e mbesës së Hasan Prishtinës, për Enver Hoxhën: Këtu nuk mund të jetoj

Një dokument i rrallë i vitit 1949, rikthen në vëmendje historinë tronditëse të Elma Prishtinës, mbesës së personalitetit të njohur, ish-kryeministrit të Shqipërisë, patriotit të njohur, Hasan Prishtina. E bllokuar në Shqipëri pa familje, pa pasuri dhe pa të drejtë largimi, Elma i shkroi personalisht kryeministrit Enver Hoxha, një letër të gjatë dhe të dhimbshme, duke kërkuar vetëm një gjë: të largohej nga vendi ku nuk kishte asnjë njeri dhe ku nuk mund të mbijetonte.
Historia e Elma Prishtinës nis më 1939, kur babai, Ymer Prishtina - vëllai i Hasan Prishtinës - e solli në Shqipëri pak para shpërthimit të luftës italo-greke. Me origjinë nga Selaniku dhe me shtetësi greke, ai u detyrua të merrte shtetësinë shqiptare gjatë luftës. Por, vdiq në fund të vitit 1942, duke e lënë Elmën vetëm, të pambrojtur dhe pa asnjë të afërm në vend.
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, Elma mbeti në Shqipëri si shtetase e huaj me dokumente të rregullta. Ndërsa familjarët e thërrisnin nga Turqia, ajo mori një leje-kalimi, shiti gjithçka që kishte dhe u përgatit të largohej. Por, rruga iu mbyll në minutën e fundit: konsullata jugosllave nuk ia dha vizën e transitit.
E bllokuar dhe pa asnjë mjet jetese, ajo iu drejtua vetë Enver Hoxhës në shtator të vitit 1949, duke i lutur që t’i shtynte afatin e lejes dhe t’i mundësonte ikjen përmes Italisë. Kërkesa nuk u aprovua kurrë. Fati i Elma Prishtinës u bashkua me qindra të tjerë të cilët regjimi komunist, në fuqi, nuk i lejoi të largoheshin nga vendi.
Më poshtë është letra e saj origjinale, një prej dëshmive më të rralla të asaj kohe - një zë i brishtë i mbetur në duart e një regjimi të pamëshirshëm.

***
Gjeneralkolonel Enver Hoxhës
Tiranë
E nënshkruara Elma Prishtina, shtëpiake dhe banuese në “Lagjen ‘Misto Mame’”, “Rruga ‘Bajram Curri’” Nr. 419, marr nderin me ju parashtrua sa më poshtë:
Baba jem i ndjeri Ymer Prishtina, vëllai i të ndjerit Hasan Prishtina, mbas ikjes së Zogut nga Shqipnija në muajin gusht të vitit 1939, më mori dhe mua vajzën e tij të vetme dhe ardhëm këtu për një vizitë, mbas shumë vjet mërgimi; dhe, mbasi filloi lufta kundër Greqisë, baba i jem, i cili kishte shtetësi greke, mbase jetonim në Selanik ku kemi edhe pasurinë tonë, u shtrëngua të marrë shtetësinë shqiptare, porse në fund të vitit 1942 vdiq, e kështu unë mbeta vetëm dhe nuk pata mundësi që të shkonj, mbasi ra Greqia, sepse isha një vajzë e re pa njeri të afërm t’imin.
Kur hyri Partia këtu unë vazhdova që të qëndroj si shtetase e huaj, siç rezulton edhe nga leje-qëndrimi për të huaj që kam në dorë.
Mbasi pra në këto kohët e fundit njerëzit e minj që kam në Turqi më kanë kërkuar që të shkonj atje, kërkova rregullisht një leje-kalimi, e cila dhe m’u dha porse nuk munda që të shkonj, sepse Konsullata Jugosllave nuk më mbante vizën që të kaloja nëpër Jugosllavi.
Në këtë ndërkohë unë, tue shpresue se do të shkonja shita të gjitha plaçkat e mia dhe sot kam mbet pa asnjë gjë. Me qenë pra se jam një copë vajzë, që nuk di as gjuhën shqipe, mbasi kam le në Selanik. Dhe, meqenëse tash kam mundësi që të shkonj në Turqi më anë të Italisë.
Prandaj, marr nderin t’ju lutem të kini mirësinë të merrni masat e duhuna që të më shtohet leja e lejekalimit dhe të më vizitohet e kështu të mundem të shkonj sa pa zënë dimni e të vetë pranë njerëzve të minj e të shpëtonj jetën, mbasi këtu nuk kam kurrsesi mundësi që të jetoj.
Tiranë, më 5.XI.1949
Me nderime
Elma Prishtina
/ Memorie.al/

















































