Lëshojnë mbledhjen edhe dy anëtarë tjerë të KPK-së, në rend të ditës futet shkarkimi i kryesuesit Hajdaraj

Pas debatit rreth pjesëmarrjes së u.d., Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Agron Qalaj, edhe dy anëtarë të tjerë të Këshillit, Dardan Vuniqi dhe Arian Gashi, kanë lëshuar takimin. Në rend të ditës u fut shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj.
Anëtari Vuniqi tha se do të kthehet në trajtimin e rasteve disiplinore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, zëvendëkryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli u shpreh se kjo tërheqje e anëtarëve është bërë një rrugë e pakthyeshme.
“Nuk jemi këtu për të bërë skena dhe drama, sepse kemi përgjegjësi, duhet të rrimë sepse kemi obligim ligjor. Anëtari i Këshillit shkarkohet nga mandati nëse nuk merr pjesë dy herë në mbledhje pa arsye”, ka thënë ajo.
Grantolli tha se nuk po sheh që këta anëtarë po dëshirojnë reforma në drejtësi.
“Nuk e kemi luksin që të qëndrojmë në këtë pikë. Të jemi më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm pasi kemi procedura disiplinore që duhet të vendosen sepse çdo revoltë e tillë nuk është demokratike”, ka thënë ajo.
Për këtë, anëtari Arian Gashi ka thënë se ata ishin prezent në dy mbledhjet, por e kanë liruar takimin për shkak të vendimeve të kundërligjshme.
“Daljet tua janë të koordinuara, me qëllim të shqyrtimit të raportit të kandidates për anëtare të Këshillit. Çdo shmangie nga këto diskutime është e qëllimshme”, ka thënë Hajdaraj.
Propozohet shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, dy anëtarë lëshojnë mbledhjen
(Përditësuar, ora 11:26)- Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, anëtari Visar Krasniqi propozoi të shkarkohet nga pozita kryesuesi Ardian Hajdaraj.
“Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai kërkoi nga Agron Qalaj që ta lirojë takimin e Këshillit, me arsyetimin se është person i paautorizuar të qëndrojë në këtë takim. Tha se qëndrimi i tij në këtë sallë, iu pamundëson anëtarëve tjerë të vazhdojnë tutje.
Anëtari Veton Shabani, insistoi se para se të shkohet me rend të ditës, Agron Qalaj ta lirojë sallën.
“Të gjithë janë të njoftuar se ai vendim ka qenë joligjor. Me gjithë respektin për Qalajn, ne kërkojmë nga ai që ta lirojë sallën që të vazhdojë mbledhja normalisht”, ka thënë ai.
Sipas tij, tashmë Besim Kelmendi ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ankesë ka efekt suspendim të çdo vendimi.
“Kërkojmë që të merrni masa, mos të krijohen vendime tjera të kundërligjshme”, është shprehur ai dhe më pas ka lëshuar sallën.
Ndërkaq, Dardan Vuniqi tha se e konsideron të nevojshme tërheqjen nga kjo mbledhje.
“E konsideroj të nevojshme që të tërhiqem nga kjo mbledhje, por jo para se të qes propozimin tim. Unë mbështes çdo hap që qartëson ligjin. Unë kthehem kur të ketë situatë të qartë ligjore për mos t’u kthyer as në mbledhjen e radhës pa u sqaruar aspekti ligjor”, tha Vuniqi.
Ai kërkoi pauzë 15 minuta, që të reflektojë edhe Qalaj, që mos të qëndrojë në këtë mbledhje.
Në anën tjetër, edhe anëtari Arian Gashi tha se nuk mund të qëndrojë në mbledhje ku është i pranishëm edhe Qalaj.
“Tashmë kemi një ankesë në Supreme, andaj derisa të vendosë Gjykata nuk mund të vazhdojmë, kuorum kemi, Qalaj tha lirojë sallën”, tha Gashi.
Më pas, anëtarët Visar Krasniqi dhe Veton Shabani lëshuan mbledhjen.
Kurse, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se këtë nuk e konsideron ndryshe përveçse presion që Qalaj të largohet.
Atij iu përgjigj Gashi, duke thënë se nuk po i bëjnë presion, por po kërkojnë ta lirojë sallën sepse bën kuorum të kundërligjshëm.
Më pas, në takim mori fjalën Qalaj, i cili përsëriti se nuk do të përfshihet në diskutime dhe as në vendimmarrje, duke mbajtur qëndrim neutral deri në vendim të gjykatës.
“Nuk do të preferoja të largohem në formën që ju po dëshironi, thoni çfarë të doni- por unë më nuk do të diskutoj”, u shpreh Qalaj.
Agron Qalaj: Në këtë mbledhje marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk përfshihem në diskutime e as vendimmarrje
(Përditësuar, ora 11:11)- Në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm si anëtar ex-officio.
“I nderuar kryesues i Këshilit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtar, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”, tha Qalaj.
Në mbledhjen e KPK-së po merr pjesë u.d Kryeprokurori i ri i Shtetit i zgjedhur nga pesë anëtarë
Prishtinë- Në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën po merr pjesë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarë të KPK-së.
Agon Qalaj, pas shkarkimit të Besim Kelmendit, në mbledhjen e 20 nëntorit u caktua ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbledhja e Këshillit nisi me një orë vonesë nga orari i planifikuar.
Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit. /BetimipërDrejtësi/


















































