Lëndimi i Medon Berishës nuk është shumë serioz, mësohet kur do të rikthehet

Mesfushori Medon Berisha i ka shpëtuar një lëndimi serioz dhe pritet të jetë jashtë fushës maksimumi brenda një muaji, kështu ka mësuar Telegrafi me burime pranë lojtarit.
Ylli i Lecces u largua mes lotësh në përballjen ndaj Pisa në Serie A, ndërsa mediat italiane fillimisht raportuan se ka gjasa të këtë këputur muskujt aduktorë, që do t’ia pamundësonin të rikthehej në fushë për disa muaj.
Megjithatë, Telegrafi me burime pranë lojtarit merr vesh se lëndimi i Berishës nuk është aq serioz. Mesfushori “Kuq e Zi” e ka çarë muskulin, diku 10 centimetër mbi ligamentin kryesor të gjurit.

Ai do t’i kryejë testet mjekësore sërish pas dy ditëve, por në shenjat e para duket se do të jetë jashtë fushës për disa javë, maksimumi një muaj.
“Jo nuk është aq serioz sa dukej në fillim. Atë ditë u vërejt më shumë, por tani ka nisur të qetësohet. Ka çarë pak muskulin dhe do t’i kryejë sërish testet mjekësore pas dy ditëve. Besoj se do të jetë jashtë fushës diku maksimumi për një muaj”, thotë burimi në kushte anonimiteti.
Ky lajm padyshim është i shkëlqyer për Berishën, pasi ishte lojtari më në formë te Lecce – duke qenë i vetmi titullar i padiskutueshëm këtë edicion.
Berisha përndryshe po mahnitë të gjithë në Serie A, ku brenda 12 paraqitje ka kontribuar me dy gola e tre asistme në proces./Telegrafi/









































