LDK: Të gjitha faktet e mbledhura për njehsorët nesër do t’i dërgojmë në KEDS dhe prokurori

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë vetë saktësinë e njehsorëve të energjisë elektrike, duke ngritur dyshime për mospërputhje në matjen e kohës.
Në një njoftim publik, LDK ka kërkuar nga qytetarët që të kontrollojnë nëse ora e shfaqur në njehsor përputhet me orën reale në telefonin e tyre. Në rast të mospërputhjeve, ata janë ftuar të dokumentojnë rastin përmes fotografive ose videove.
Sipas njoftimit, dëshmitë e mbledhura duhet të dërgohen tek anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ndërsa partia ka paralajmëruar se të gjitha rastet do t’i dorëzojë fillimisht tek KEDS dhe KESCO, e më pas edhe në Prokurori.
“Kjo çështje nuk mund të trajtohet si gabim teknik, qytetarët meritojnë transparencë dhe drejtësi. Çdo dyshim për abuzim duhet të hetohet dhe çdo përgjegjës duhet të mbajë llogari”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia opozitare ka theksuar se ky proces synon mbledhjen e fakteve konkrete për të adresuar shqetësimet e qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë elektrike.




















































