LDK kritikon Kurtin për krizën politike dhe ekonomike

Kuvendi i Kosovës as pas 23 përpjekjeve nuk ka arritur të konstituohet.
Pas përfundimit të seancës, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur para mediave.
Bajrami ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti me politikat e tij po i detyron të dalin në rrugë punëdhënësit e 143 mijë punëtoreve.
Ajo kritikoi edhe deklaratën e Kurtit për protestën e bizneseve.
“Lexova nga mediat e juaja që Albin Kurti kish thënë që ka kalu koha e barrikadave. Kjo konsideroj që është e turpshme sepse të gjithë ne e dimë se në çfarë konotacioni përdoren barrikadat”, tha Bajrami.
Bajrami shtoi se deficiti tregtar ka arritë rekord të paparë që nga paslufta.
“Kosova po shkon drejt rrënimit ekonomik, e qytetarët e saj drejt varfërisë. Kjo situatë është e padurueshme dhe e papranueshme! Këta rrënues duhet të ndalen bashkë me mafinë energjetike që po rrënon vendin! Vendimi i ZRRE-së duhet të anulohet menjëherë!”, u shpreh Bajrami.
Ajo shtoi se duhet “të hetohet në tërësi ajo çfarë ka ndodhur në sektorin e energjisë këto katër vite”.
Bajrami kritikoi faktin se Kuvendi është futur për të 23-tën herë në pauzë 48-orëshe, duke ia adresuar fajin Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë që, sipas saj, ka për obligim të ofrojë zgjidhje.
“Na kujtohet kur Kurti e ka mundur Rrahman Jasharajn me ato grevat. Nuk e ka mundur Jasharajn, por arsimin. Nëse Kurti i mund edhe bizneset, atëherë e mund ekonominë. Dhe kur Kurti i mund arsimin dhe ekonominë, e vetmja përfituese është Serbia”, shtoi Bajrami./Telegrafi/














































