Edon Zhegrova është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë sezon, më e mira në karrierën e tij.

Sulmuesi kosovar po shkëlqen me fanellën e Lille me gola e asistime, derisa të premten mbrëma realizoi dy gola në fitoren e Lille 2-1 ndaj Lensit.


Në 39 ndeshje zyrtare në të gjitha garat me Lille, Zhegrova ka kontribuar në 20 gola, duke shënuar 11 e duke asistuar në nëntë të tjerë.

Mediumi spanjoll 'Masfichajes' ka raportuar ditën e sotme se Real Madridi është vënë në kërkim të Zhegrovës dhe nuk përjashtohet mundësia e transferimit të tij në afatin kalimtar veror.

"Ndonëse nuk është prioriteti numër një, paraqitjet e Zhegrovës kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve teknikt të Real Madridit, të cilët e shohin tek ai një talent me një të ardhme të madhe përpara", shkruan mediumi spanjoll.

Edon Zhegrova 1 1

"Real Madridi po përgatitet për një merkato të ëndrrave, me yje të mëdhenj në horizont dhe një strategji ambicioze për të rifituar dominimin në futbollin evropian. Por, ndër emrat e shndritshëm, Edon Zhegrova po shfaqet si një blerje e mundshme që mund të sjell freski dhe thellësi në sulmin e Los Blancos".

"Talenti dhe rinia e tij e bëjnë atë një opsion tërheqës për një klub që kërkon gjithmonë përsosmëri. Vetëm koha do të tregojë nëse Zhegrova do të bëhet galaktiku u radhës në Santiago Bernabeu", ka shkruar mediumi spanjoll.

25-vjeçari ka një vlerë në tregun e transferimeve prej 15 milionë euro, derisa edhe më parë skuadra të mëdha kanë shfaqur interesim për të.

Napoli e Borussia Dortmund ishin ekipet që kanë shfaqur më parë interesim për talentin prishtinas. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app