Kylie Jenner është vënë në qendër të kritikave në rrjet, pasi ndau disa fotografi nga një fushatë e re për koleksionin “Vjeshtë 2025” të Miu Miu.

Edhe pse ylli i “Kardashians” pozoi me veshje luksoze në një set minimalist, shumë përdorues në Reddit e cilësuan fotosesionin si “të mërzitshëm” dhe “të çuditshëm”.


Kritikat u përqendruan te shprehja e fytyrës së Kylie-t, që sipas ndjekësve dukej "pa jetë" dhe "e ftohtë", ndërsa të tjerë vlerësuan përpjekjen e saj për të ndryshuar stil, shkruan DailyMail.

“Jam e lumtur që po largohet nga imazhi tepër seksual, por ky nuk është seti i saj më i mirë”, shkroi një komentues.

Në fushatë, ajo shfaqet me disa veshje, përfshirë një xhaketë jeshile të errët me fund të përputhshëm, një shall me push, mokasina të zeza dhe një bluzë të bardhë pa mëngë.

Në një tjetër pamje, Jenner mban veshur një xhaketë sateni të zezë, pantallona gri dhe një këmishë të kombinuar me korset të kuq.

Përveç modës, Kylie po promovon edhe koleksionin e saj të ri të rrobave të banjës në bashkëpunim me Frankies Bikinis, si dhe një produkt të ri nga Kylie Cosmetics.

Së fundmi, ajo ka kaluar edhe disa ditë pushimi në Greqi me fëmijët e saj, ku u pa në një video të ëmbël me vajzën Stormi.

Ndërkohë, fansat spekulojnë se i dashuri i saj Timothée Chalamet mund ta ketë shoqëruar fshehurazi në këtë udhëtim. /Telegrafi/