Opozita kritikon urgjencën e shumicës për miratimin e projektligjeve të zakonshme

(E plotësuar) - Deputetë të partive opozitare në Kuvend kanë kritikuar mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtim të dhjetë projektligjeve të premten.
Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk e kupton urgjencën për shqyrtim të tyre. Ai ka thënë se kjo bie ndesh me Rregulloren që thotë se “duhet të kalojnë dy javë nga shpërndarja e ligjeve”.
Ai ka thënë se PDK-ja është kundër.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se seanca “tregon për tendencën për t’i ikur debatit parlamentar.
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar të palogjikshëm këtë seancë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se seanca është ftuar që të shqyrtohen në parim projektligjet dhe t’u jepet kohë e mjaftueshme deputetëve për të dhënë kontributin “në ditët në vijim”.
Në fund, me 63 vota Kuvendi miratoi shmangien nga afati procedural për Ligjin për çmimet tavan. 22 vota ishin kundër.
Kuvendi fillon me tjetër seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës ka filluar një tjetër seancë të jashtëzakonshme.
Në rend dite janë votimi i projektligjeve të propozuara nga LVV, të cilat sot dështuan në hyjnë në rendin e ditës në seancën plenare.
Ky është rendi i ditës i plotë:
1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,
2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-026 Projektligjin për Shërbimet e Pagesave,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-027 Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,
7. Shqyrtimi i parë iProjektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.




















































