Përplasjet mes Komunës së Prishtinës dhe institucioneve qendrore po thellohen gjithnjë e më shumë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve të martën në sheshin “Xhorxh Bush”,  por Komuna i ka rifilluar ato të mërkurën.

Kryetari Përparim Rama konfirmoi rifillimin e punimeve, duke theksuar se projekti do të realizohet.


Sipas tij, ndalimi është bërë në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente jo valide.

Nga ana tjetër, eksperti  i politikave në GAP, Bekim Salihu, i ka cilësuar këto zhvillime në kryeqytet për keqardhje.

"Transformimi i hapësirave publike në kryeqytet është i domosdoshëm për të përmbushur nevojat moderne urbane, për ta bërë qytetin më funksional dhe estetikisht më tërheqës për banorët dhe vizitorët. Nga ana tjetër, çdo ndërhyrje duhet të respektojë rregulloret dhe zonat e mbrojtura që kanë vlerë historike e kulturore, por Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore nuk ka paraqitur deri sot në opinion se në çfarë forme cenohet ose rrezikohen objektet e trashëgimisë në këtë zonë përmes këtij investimi. Kjo mungese përveç që krijon paqartësi, lejon edhe interpretime të ndryshme për qëllimet reale të këtyre veprimeve", ka thënë për Telegrafin Salihu.

Ai vlerëson se ndërprerjet e tilla ndikojnë negativisht në dinamikën e transformimit urban, duke krijuar pasiguri në realizimin e projekteve, vonesa në implementim dhe rritje të kostove.

I pyetur se a ka pasur koordinim ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe institucioneve qendrore për këtë projekt, ai u shpreh se siç duket nuk ka pasur.

"Duket që jo, as nuk ka pasur koordinim dhe nuk ka as pajtim për veprime, situata po degradon në atë formë që po duket si personale mes zyrtarëve", është shprehur ai.

Salihu po ashtu tha se kjo përplasje ndërinstitucionale ka disa pasoja.

"Po, përplasjet ndërinstitucionale ndikojnë dukshëm në besimin e qytetarëve ndaj proceseve të zhvillimit urban dhe ndaj vetë institucioneve. Kur qytetarët vërejnë mungesë koordinimi, mosmarrëveshje të hapura apo veprime që bllokojnë njëra-tjetrën, krijohet përshtypja se proceset vendimmarrëse janë të paqarta, jo transparente dhe pa orientim në interesin publik. Kjo nxit frustrim, pasiguri dhe dyshim ndaj aftësisë së institucioneve për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm dhe të mirëmenaxhuar. Një përplasje e tillë nuk është vetëm teknike apo procedurale; ajo është edhe politike dhe simbolike. Ajo flet për mungesën e një vizioni të përbashkët institucional për qytetin dhe për dështimin për të zhvilluar politika të integruara urbane. Kjo cenon jo vetëm besimin e qytetarëve, por edhe pjesëmarrjen e tyre aktive, që është thelbësore për suksesin e çdo transformimi dhe projekti", u shpreh ai.

Për situatën e krijuar, Salihu thotë se duhet përfshirë edhe ekspertët e trashëgimisë kulturore për rishikimin dhe zbatimin e projekteve të tilla.

"Patjetër që po, por kjo duhet të bëhet me një qasje konstruktive dhe profesionale, brenda mandatit që kanë institucionet. As komuna dhe as Qendra për Trashëgimi nuk duhet të udhëhiqen nga inatet, interesat apo qëllimet që shpesh në ambientet tona dinë të ndikojnë në ecurinë dhe cilësinë e politikave publike. Por duket të kihet e qartë një gjë, sipas ligjeve, i vetmi autoritet që bën planifikim hapësinor dhe jep leje për zhvillim të punimeve në territorin e Komunës është vetë Komuna", nënvizoi ai.

Më herët, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte deklaruar se ky projekt do të prekë disa zona kyçe të qytetit, përfshin edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar një ndryshim të dukshëm për infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.

Rama kishte deklaruar se punimet do të zhvillohen në tri faza, duke theksuar se kjo do të ndihmojë që qytetarët të mos ndihen të bllokuar gjatë punimeve.

Projekti ishte planifikuar të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe ky projekt kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh. /Telegrafi/