LAJMI I FUNDIT:

Kush po e sulmon policinë dhe a paraqet kërcënim ushtria serbe pranë kufirit me Kosovën – flasin analistët dhe ekspertët e sigurisë

Kush po e sulmon policinë dhe a paraqet kërcënim ushtria serbe pranë kufirit me Kosovën – flasin analistët dhe ekspertët e sigurisë

Rreth 10 herë është shtënë sot me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, derisa po bëheshin gati për një kontroll rutinore me barkë në Liqenin e Ujmanit. Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet në veri. Para gjashtë ditëve, në atë pjesë serbët lokalë vendosën nëntë barrikada. Të njëjtit ishin të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet me Serbinë.

Kjo nuk është hera e parë që sulmohet Policia e Kosovës. Vetëm në prill të këtij viti janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj këtij institucioni. Qeveria e Kosovës ka akuzuar grupet kriminale për këto sulme, ndërkaq ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime.

Kush po i organizon sulmet në veri dhe a është prania e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, kërcënim për vendin?


Vetëm një ditë para këtij incidenti, është raportuar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ka vizituar pjesën e Ushtrisë serbe të angazhuar në kontrollin e Zonës së Sigurisë Tokësore dhe sigurinë e vijës kufitare me Kosovën.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, “gjenerali Mojsiloviq ka inspektuar nivelin e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e bazave ushtarake ‘Tabalije’ dhe ‘Rudnica’ dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të vendit”.

Sulmi nga mali ndaj zyrtarëve policorë në njërën anë dhe mobilizimi ushtarak në anën tjetër, janë kombinacion që tremb Evropën, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu

Ai në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, deklaroi se sulmi i sotëm ndaj Policisë në Ujman duhet të merret seriozisht, pasi siç tha, këto janë kërcënimet më konkrete të Serbisë.

“Serbia paraqet vazhdimisht kërcënim për Kosovën, por jo një lloj i tillë i mobilizimit ushtarak në kufi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po provon që me këso manovrimesh ta kërcënojë Evropën. Evropa nuk po e njeh akoma atë, prandaj po i shiten këto kërcënime”, tha Musliu.

Sipas tij, duke kërcënuar Kosovën, Vuçiqi i shërben homologut të tij rus, Vladimir Putinit, për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Musliu tutje alarmon se situata në veri mund të ashpërsohet edhe më tej, ndaj shton se edhe serbët duhet ta kuptojnë se e kanë detyrë patriotike ta pastrojnë vendin e tyre nga Vuçiqi, siç e quan ai, mbeturinë shoviniste e Millosheviqit dhe ruso-sovjetike e Putinit.

“Serbet duhet ta ndjekin shembullin e Gjermanisë, kur e pastruan vendin e tyre nga mbetjet e Hitlerit. Pra, Vuçiqi është mbetje e Millosheviqit. Ky është problem më i madh që duhet Serbia ta zgjidhë”.

Në fund, ai shtoi se nuk është e lehtë të dihen emrat e sulmuesve në veri dhe se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë nevojë të forcohen në mënyrë që vendi të mos rrezikohet nga Rusia e Serbia.

“Nuk është lehtë të dihet emrat e sulmuesve në komunat veriore. Aty terreni është kodrino-malor dhe shumë I thyer. Ata fshihen dhe zënë pozicione kryesisht në mal. Kështu është vrarë dëshmori Enver Zymberi në vitin 2011. Kështu është vrarë doganieri i EULEX-it (Audrius Senavicius) në vitin 2013. Madje, nga shenjat e armës me të cilën është vrarë doganieri i EULEX-it, besohet se janë të armës së njëjtë që ka kryer vrasjen e 6 të rinjve serbë në Pejë, më 1998, në rastin e njohur si PANDA”.

“Kosova duhet të forcohet më shumë. Institucionet e sigurisë së Kosovës duhet të ngjeshën edhe më shumë. Ka nevojë për resurse njerëzore më shumë dhe për fonde. Mos të habitemi se nuk kemi të bëjmë vetëm me Serbinë, por edhe me Rusinë. Këtë duhet ta kuptojnë edhe partnerët tanë perëndimorë dhe ta ndihmojnë Kosovën për ta mbrojtur këtë vatër krize që Putini po përpiqet çdoherë e më shumë ta ndezë”.

Praninë e ushtrisë serbë pranë brezit kufitar e komentoi edhe njohësi tjetër i sigurisë, Drizan Shala.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

Ai për Telegrafin u shpreh se pozicionimi dhe aktivizimi i tyre në këtë momentum paraqet presion politik me elemente ushtarake që ka për qëllim imponimin e vullnetit politik ndërkombëtar.

“Institucionet në koordinim me prokurorin sipas konferencës nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm, vërehet që kanë filluar në mbledhjen e provave dhe dëshmive në rastin e konsumimit të disa veprave penale në veri të vendit që janë nga ai shkaktimi i përgjithshëm deri të sulmi kundër forcave të rendit”.

“Dhe në momentin që identifikohen personi/at, atëherë është normale që në momentin më optimal e gjithë aparatura shtetërore të intervenojë në arrestimin e tyre”.

Ndërsa, njohësi i rrethanave politike, Gazmir Raci, në një prononcim për Telegrafin tha se sulmet në veri dihet qartë se janë të orkestruara mirë nga Beogradi dhe këtu sipas tij, fajtori kryesor është kryekëput krimineli Milan Radoiçiq.

Njohësi i rrethanave politike, Gazmir Raci

“Ai vazhdon të jetë ‘kapo’ i pjesës veriore. Andaj, i bëj thirrje institucioneve të vendit që konform akuzave që janë bërë ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta arrestojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.

Arrestimi i Radoiçiqit shtoi Raci, do ta çlironte veriun dhe serbët e asaj pjese.

Në fund, ai tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë në bashkërendim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për hapat që do të ndërmerren në kuadër të dialogut në mënyrë që normalizohen marrëdhëniet me Serbinë dhe të gjendet një zgjidhje përfundimtare e cila në qendër ka njohjen reciproke.

Ndyshe, dialogu në Bruksel ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosova insiston se një marrëveshje finale do të duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia argumenton se dëshiron një zgjidhje kompromisi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori