LAJMI I FUNDIT:

Kush e vrau Oliverin?

Kush e vrau Oliverin?
Ilustrimi: N1

Nga: Lubodrag Stojadinoviq [Ljubodrag Stojadinović] / N1
Përkthimi: Telegrafi.com

Mbase mendoni se, në këtë kohë të keqe, pyetja në titull tashmë e ka humbur kuptimin? Të jeni të sigurt se jo sepse, po të ishte kështu, të gjithë ne tashmë do të gjendeshim në kopshtin e kujtimeve. Oliveri është njeriu që reziston ndaj vrasësve dhe që i vë në pah ata. Disi, një përgjigje e qartë vazhdon të ikën, edhe pse kriminelët janë mu para syve tanë, duke lëvizur nëpër errësirën që u krijua si mbulesë për hijet e tyre të frikshme.

Gjurmët e aksionit të harambashit Millan Radoiçiq të çojnë kudo ku ka mungesë rendi dhe ku ka dhunë. Heroizmi i ri i Kosovës është krim i errët dhe është konceptuar në shoqërinë e truve të pulës që Serbinë po e çon në masakra dhe në disfata. Kush e dërgoi atë atje? Vetë u kujtua, mori armët e rënda, uniformat e zeza, mblodhi vullnetarët e papërvojë, i stërviti me aftësitë për të cilat nuk ishte i zoti, i futi në një [veturë] Moskviq dhe i çoi që të vdisnin. Apo, e gjithë kjo nuk ishte e mundur pa patronazhin e një ngacmuesi të madh dhe pa stërvitje nëpër livadhet e famshme?


Guerilja iku në Serbi, duke pritur që fatkeqësia që bëri – si ushtrim që dëshmon mendjelehtësinë – të shpallej për fitore. Nëna që i jep gji, që e imagjinon veten si president, ia ofroi përsëri sisën me pëshpëritjet e lehta për falje të mëkateve të tij. Ndërsa ai rrëfeu për veprën e tij të dështuar. Nuk ishte rebelim kundër sundimtarit, por përputhje me paaftësinë e tij të tmerrshme. Dhunë e përbashkët në pafuqi, rebelim i atyre që shtypin serbët kundër Kurtit që shtyp serbët. Shpjegimi publik i supremit për të cilin bien viktimat, është rënkim i neveritshëm prej kurve që u jep dhimbje të gjithë atyre që ende kanë një ndjenjë turpi. Asgjë nuk i ndryshon rrethanat me faktin se “Kopiliqi i ri” u mor në paraburgim. Kështu, martirin e gozhduan në kryq dhe e nderuan.

Dita e zisë nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse si forcimi i melankolisë vdekjeprurëse që mban tiraninë vetëm me zi publike. Ishte kërkimi për heronj mes viktimave të fanatizmit dhe dhunës së tij. Të vdekurit janë kryesisht të pafajshëm, ishte veçse një problem që kufizohej me mbrojtjen e zonës së krimit dhe me dashurinë shoviniste për vetveten.

Poza e luftëtarit është fletë fiku për lakuriqësinë e shëmtuar dhe patriotizmin e falsifikuar. Pamë se çfarë mbrohej: pjesa e pasurisë së prijësit të mundur, vila dhe prona me para të panumërta. Është vetëm një pjesë e krijimtarisë dhe e përpjekjes së tij të frytshme patriotike. Është një pjesë e zonës që për të ishte zemër e Serbisë. Diku nga atje, shkëlqesia e tij Marko Gjuriq, së bashku me nikoqirin Radoiçiq, me anë të një lidhjeje telefonike bënë brohoritjen e famshme zvarranike: Aco Srbine, Aco Srbine! [Serbi Aco – Aleksandar Vuçiqi]

Në atë kohë, serbi Aco gëzonte besnikëri, edhe pse kjo ishte e imponuar nga forca brutale e gaulajterit [liderit lokal nazist] të tij të preferuar. Por, atje, i njëjti Aco tashti e ka statusin e një kukulle me lecka, që është simbol i humbjes dhe rrënimit. Dhe, kjo pafuqi nuk është rezultat i ndonjë pakti të fshehtë me Kurtin, por thjesht kulmi i krijimtarisë i të njëjtit serb Aco. Gjithçka që ndodhi në vitet e kaluara e çoi atë në atë kulmim. Subjektet, shërbëtorët, materialet e tij elektronike dhe të shtypura festuan gjenialitetin e tij. Nuk dihet se si e zbuluan. Veriu i Kosovës ishte pasuria e tij tragjike dhe burimi i melodramës dhe sitkomëve patetikë, por edhe hapësira nga ku vetes ia solli votat e sigurta dhe krizat që e mbanin si shpëtimtar.

Aty Radoiçiqi ishte zbatuesi i vullnetit të tij, i arratisur nga ligjet dhe nga normat që do ta frenonin. Një person në listat e të kërkuarve, por edhe me amnisti të zgjatur, heroi i së vërtetës së poligrafit të shefit, ai që mbron serbët në Kosovë nga të gjithë – përveç vetes. Pa të, siç pretendohej në taborin serb, nuk do të kishte më serbë në veri. Kur u kthye atje pas arratisjes së gjatë për shkak të ndjekjeve të policisë, e xhiroi deklaratën e tij ogurzezë dhe e dërgoi nëpër rrjete: Jam kthyer dhe e dini se çfarë kjo do të thotë.

I kërcënoi serbët, pakicën që rezistoi ndaj temperamentit të tij të keq dhe ndaj sjelljes së dhunshme. Aksioni tragjik i 24 shtatorit kishte kuptim në përforcimin e pushtetit: është i pasur dhe arrogant dhe tani është edhe luftëtar. Një lider i ri mizor që ngjall frikë në të gjitha drejtimet dhe askush nuk mund t’i bëjë asgjë. Sundimtari në Beograd mund të ishte i qetë: serbët janë nën putrën e tij, ai gjithsesi i urren shqiptarët dhe nuk i merr parasysh. Atij i intereson vetëm hapësira. Përballë Millanit të egër, Kurti do të tërhiqet në jug. Largpamësinë e vërshimit të policisë serbe do ta tregojnë vetëm guerilët.

Diku në vjeshtën e vitit 2017, Oliver Ivanoviqi foli për terrorin ndaj serbëve të kryer nga serbët. Kriminelët këtu kanë krijuar një sistem të juntës ushtarake, tha ai. Pushteti është jashtë institucioneve dhe qeveria në Beograd po e inkurajon atë pushtet. Presidenti e përmendi Milan Radoiçiqin si shembull të luftëtarit për Kosovën dhe si garanci për mbijetesën e serbëve këtu. Më shqetëson shumë. Kështu foli Oliveri.

Ai u shpall armik. Shkëlqesia e tij, Gjuriqi, udhëhoqi një fushatë të neveritshme të urrejtjes dhe të shtypjes së fjalëve të tij. Oliver Ivanoviqi u vra më 16 janar 2018. U dërgua në Beograd dhe u varros në rrugicën e qytetarëve të merituar. Kur ai nuk mund të fliste, të gjithë armiqtë e tij u bënë miq – një ditë pas varrimit të tij.

Gjuriqi së shpejti do të kthehet në Beograd për të parë veprën e tij të madhe të Kosovës të cilën e kishte ndërtuar me serbin Aco.

Vdekja e Oliver Ivanoviqit është çelësi i të gjitha sekreteve të tmerrshme dhe përgjigja ndaj poshtërsive, mashtrimeve, tradhtive, krimeve, grabitjeve, shkatërrimeve dhe e origjinës së kalvarit të Kosovës.

Serbi Aco një ditë do ta ketë të vështirë të përgjigjet në pyetjen që nuk mundet ta shmang. Atëherë kur ai duhet të përgjigjet për: kush e vrau Oliver Ivanoviqin?

Ai njeri nuk kalon në harresë, nuk e ndan fatin e të pushkatuarve mbi varret e të cilëve u rrit bari dhe myshku dhe ku gjethet ranë. Përgjigja në pyetjen se kush e vrau Oliverin do të nënkuptojë se sistemi kriminal i përbërë nga grabitja, varfëria, balta, errësira, frika, kutërbimi, mafiozët, varret dhe gënjeshtrat … më në fund është përmbysur. /Telegrafi/

Konferenca për shtyp e Musa Kesexhisë
Lexo po ashtu Konferenca për shtyp e Musa Kesexhisë

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

Ligat tjera
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Premier League
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të

Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi

Botë
Kalo në kategori