Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim të enjten.

Kusari-Lila në një deklaratë për media tha se formati i takimit është përcaktuar nga Zyra e Presidencës dhe në atë format merr pjesë edhe Kurti.


““Kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Nënkuptohet që takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, për arsye se nuk mundet që Zyra e presidentes të përdoret për marrëveshja politike, ato bëhen mes grupeve apo mes partive politike. Do të diskutohet ky proces që po dështon me mungesë pjesëmarrje në votim të një numri të konsiderueshëm të deputetëve dhe natyrisht për hapat tutje..", tha ajo.

Sipas saj, formatin e takimit e ka caktuar presidentja dhe në atë format beson se ka ftuar drejtuesit e partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës apo koalicionet në grup siç janë listuar në KQZ me pjesëmarrjen në zgjedhjet.

"Prandaj, ai format është i përcaktuar nga zyra e Presidentes dhe në atë format merr pjesë edhe kryeministri Kurti, kryetari i LVV si përfaqësues i deputetëve dhe natyrisht listës së përbashkët që kemi garuar... “, tha ndër të tjera Kusari. /Telegrafi/