Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është parë sot në disa komuna ku po mbahet balotazhi.

Kurti pas votimit në Prishtinë ka vizituar Vushtrrinë, Mitrovicën, Fushë Kosovën, ku është parë në lëvizje gjatë ditës me kandidatët e LVV-së për kryetarë në këto komuna.


Kurti është parë në Fushë Kosovë me kandidatin Valon Prebeza. Ky i fundit ka publikuar edhe fotografi nga vizita e Kurtit.

“Faleminderit Kryeministrit Albin Kurti për praninë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për Fushë Kosovën. Për shembullin që jep çdo ditë se politika mund të bëhet ndryshe, me ndershmëri, me përkushtim e me dashni për vendin”, ka shkruar Prebeza.


Pas Fushë Kosovës, Kurti ka vazhduar rrugën për në Vushtrri ku është takuar me kandidatin e subjketit të tij për kryetar të kësaj komune Sylejman Meholli.

“Kafja e mesditës në Vushtrri me kryeministrin Albin Kurti dhe qytetarët tanë të dashur! Dilni dhe votoni me dashuri për qytetin tonë dhe për të ardhmen e përbashkët që po e ndërtojmë bashkë! Vushtrria e vushtrriasëve! Një ditë të mbarë e me energji pozitive”, ka shkruar Meholli.



Edhe në Mitrovicë, Kurti është takuar me kandidatin për kryetar Faton Peci.

Në këtë ditë të zgjedhjeve, është në fuqi heshtja zgjedhore, dhe çdo dalje publike e përfaqësuesve politikë që mund të interpretohet si thirrje për votim bie ndesh me këtë parim. /Telegrafi/