Kurti takon drejtoren e NATO-s për Operacione, theksohet avancimi i FSK-së dhe synimi për integrim në aleancë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtoren e NATO për Operacione, Charlotte Hallengren.
Gjatë takimit, Kurti shprehu falënderime për angazhimin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, duke vlerësuar veçanërisht rolin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes, si një mekanizëm kyç këshillues dhe koordinues i aleancës në vend.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri theksoi mundësitë për avancimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve ushtarake dhe edukative në institucionet e NATO-s, si dhe rritjen e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet e aleancës veri-atlantike.
Kurti vuri në pah edhe angazhimin ndërkombëtar të FSK-së, duke përmendur pjesëmarrjen në misione të përbashkëta, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi.
Ai bëri të ditur se FSK-ja është duke u përgatitur edhe për një mision në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Po ashtu, ai përmendi kontributin e Kosovës në trajnimin e personelit ukrainas në fushën e deminimit dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Në përfundim, Kurti ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në NATO.





















































