Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, theksoi se Kosova dhe Shqipëria u kanë borxh shqiptarëve që gjenden në shtetet përreth, dhe se duhet të vihen në funksion të faktorizimit dhe mobilizimit të tyre në rajon.

“Ne si Lëvizje jemi të interesuar që shqiptarët kudo që janë, për të drejtat që u shkelen, për shtypjen politike që e përjetojnë, për shfrytëzimin ekonomik që po ashtu e përjetojnë, t’ju ndihmojmë dhe t’i mbështesim maksimalisht. Por, duhet ta kemi parasysh se në politikë zëri autentik është i pazëvendësueshëm. Nuk mund të ketë zëvendësim për zërin që vjen prej vet vendit ku shtypet ai zë”, tha Kurti.


Ai më tej theksoi se në Maqedoni, pushteti përveç se tregohet i padrejtë ndaj gjithsecilit qytetarë, në veçanti tregohet i padrejtë dhe shtypës ndaj komunitetit shqiptarë, duke e diskriminuar dhe shfrytëzuar atë në vazhdimësi.


Ndërsa Shpend Ahmeti, bëri thirrje për ndërtimin e një platforme të përbashkët ekonomike, që do të ndalonte shfrytëzimin ekonomik të shqiptarëve, duke përmbysur njëherazi edhe statistikat ekonomike, që flasin për një ekonomi tregtare dhe importuese, drejt një ekonomie që vihet në shërbim të prodhimit, mirëqenies dhe punësimit.

“Është koha përfundimisht që shqiptarët të mblidhen dhe të bëjnë një platformë të përbashkët ekonomike, e cila do të mundësojë koordinimin më të mirë të shqiptarëve, do të mundësoj tregtinë më të mirë të shqiptarëve në mënyrë që të përfitojmë së pari ne si shqiptarë nga kapaciteti jonë ekonomik”, u shpreh Ahmeti, transmeton INA.

Të pranishmit përgjatë diskutimit konstatuan se shqiptarët janë të përjashtuar nga çdo perspektivë zhvillimore dhe vendimmarrëse në rajon, e në veçanti, shqiptarët e Maqedonisë janë ata që e vuajnë këtë situatë më së tepërmi. Për këtë, folësit në këtë tryezë shprehën vullnetin që tashmë është koha e fundit kur shqiptarët në Maqedoni duhet të faktorizohen përmes një mobilizimi qytetar dhe kombëtar, në mënyrë që t’i japin fund shtypjes së përditshme.

Ndwrsa, Kurti shprehu optimizmin për t’i çuar përpara kërkesat kombëtare, duke thwnw se kombi nuk është thjeshtë gjuhë dhe kulturë, por është edhe ekonomi e politikë.

“Pyjet, tokat, arat liqenet, lumenjtë janë hapësira të një kombi. Ato përkthehen në punësim dhe mirëqenie”, u shpreh ai. /Telegrafi/