Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar debatin publik për shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste, duke theksuar se një vendim i tillë nuk mund të merret nga qeveria, por është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të drejtësisë.

Në intervistën për “Politiko”, Kurti deklaroi se Lista Serbe, në aspektin formal-juridik, mbetet një parti politike e regjistruar, prandaj ekzekutivi nuk ka autoritet për t’i atribuuar asaj statusin e një organizate terroriste.


Ai shtoi se ekziston një mospërputhje e qëndrimeve midis Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë sa i përket organizatave serbe që veprojnë në veri.

“Kemi pasur dy organizata serbe që ne i kemi shpallur organizata terroriste – Mbrojtjen Civile dhe Brigadën Veriore – të cilat partnerët tanë ndërkombëtarë nuk i kanë shpallur të tilla,” tha Kurti, duke theksuar se Kosova u ka kërkuar aleatëve që edhe ata t’i futin në listat e tyre të organizatave terroriste, por kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Kurtit, pavarësisht këtij dallimi, qeveria ka vepruar drejt.

“A po e shihni dallimin me aleatët tanë, edhe evropianë edhe amerikanë? Ato nuk i kanë shpallur organizata terroriste këto që i kemi shpallur ne. Dhe unë besoj që ne e kemi mirë,” deklaroi ai.

Debati për statusin e Listës Serbe është aktualizuar sërish në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndërsa kryeministri në detyrë ka sqaruar se çdo veprim eventual duhet të vijë nga organet e drejtësisë, jo nga qeveria.