Kurti hap fushatën “16 Ditët e Aktivizmit”: Dhuna nuk justifikohet asnjëherë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e sotme në nisjen e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, një nismë ndërkombëtare që synon ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e mekanizmave kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në adresimin e tij, Kurti tha se çdo grua që ndjen frikë dhe çdo fëmijë që dëgjon britma në vend të qetësisë është “alarm për të gjithë”, duke theksuar se shteti ka detyrimin të garantojë siguri, mbrojtje dhe drejtësi.
Ai bëri thirrje që shoqëria të mos heshtë përballë dhunës.
“Kulturën e së ardhmes nuk mund ta ndërtojmë mbi trauma të pashëruara. Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë: as nga stresi, as nga zakonet,” tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e guximit qytetar për raportim dhe mbështetje të viktimave.
Kryeministri në detyrë vuri në pah përparimin që ka bërë Qeveria në forcimin e politikave dhe mekanizmave mbrojtës.
Ai theksoi se Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026 ka realizuar ose ka në zbatim 94.5% të aktiviteteve.
Mes masave kryesore të përmendura ishin:
Lansimi i Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, që standardizon procedurat për mbrojtje dhe dinjitet të viktimave.
ofrimi i programeve psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës.
Ndihma juridike falas për viktimat, me 671 raste në fushën civile (588 prej tyre gra) dhe 310 raste në fushën penale (187 gra).
Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që lehtëson barrën financiare të viktimave të dhunës.
Programi për punësimin e grave viktima të dhunës, për të mundësuar riintegrimin e tyre.
Investimi prej 7.3 milionë eurosh për strehimoret dhe OJQ-të sociale në periudhën 2021–2025.
Zgjerimi i databazës nacionale të rasteve të dhunës, me më shumë module dhe më shumë institucione të përfshira.
Në mbyllje, Kurti theksoi se lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave, por përgjegjësi e gjithë shoqërisë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e emancipimit të burrave dhe djemve të rinj.
“E së bashku, do të ndërtojmë një Republikë ku drejtësia triumfon dhe pabarazia bie,” u shpreh Kurti.



















































