Kur zëvendësministri Ramadan Ilazi gjuante pula në Kuvend (Video)

Përpara se t’i bashkohej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në vitin 2014, Ilazi ka qenë drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar të Paqes, si dhe ka qenë aktiv në disa organizata joqeveritare, transmeton Indeksonline.
Ai po ashtu ka qenë një ndër themeluesit e Lëvizjes FOL, lëvizje që tash udhëhiqet nga bashkë aktivisti i tij i dikurshëm, Petrit Zogaj.
Në dhjetor të vitit 2008, Lëvizja FOL kishte ndërmarrë një aksion simbolik, pjesë e të cilit aksion ishte edhe vet Ilazi, me ç’rast u kishte bërë nga një dhuratë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Për shkak se Kuvendi kishte dështuar të kryej obligimet e veta, sipas Lëvizjes FOL, deputetët e kishin merituar nga një pulë që simbolizonte guximin e tyre për të kryer detyrat e deputetit.
“I kemi qit pulat, se pula nuk ka guxim. Ne po mendojmë se Parlamenti jonë është sikur një parlament i pulave. S’bajnë kurgja, veç bajnë zhurmë. Edhe zhurmë bilë nganjëherë nuk bajnë. Nuk po kanë as guxim për me diskutu për probleme ma madhore që ballafaqohet vendi jonë”, dëgjohet Ilazi t’ia shpjegojë simbolikën e aksionit një qytetari. /Indeksonline/





















































