"Grupi i Qytetarëve të Pavarur" me një aksion simbolik të martën kanë protestuar para zyrave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku kanë kundërshtuar rritjen e çmimit për energjinë elektrike.

"Sot me këtë aksion simbolik deshëm t'i kujtojmë ZRRE-së, Qeverisë dhe Kuvendit se ne flemë mbi qymyr. Përfitimi i energjisë elektrike me qymyr është nga format më të lira të përfitimit të energjisë, por koston e ulët financiare e paguajmë me shëndet", ka thënë Arbër Rushiti nga "Grupi i Qytetarëve të Pavarur".


25578945 1537539929698613 1410765101 o 1

Ndërsa, Granit Gashi, ka ftuar qytetarët që të bashkohen në protestën e cila do të organizohet të mërkurën.

"Të mërkurën nga ora 12:00, do të fillojmë para ndërtesës së KEDS-it duke vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë dhe Kuvendit. Ne jemi në grup qytetarësh pa prapavijë partiake dhe pa qëllime tjera përveç parandalimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike", tha Gashi. /Telegrafi/