Kundërshtimet publike ndryshojnë rrjedhën e “Arog Fest” në Dragash
Organizatorët e festivalit “Arog Fest” në Dragash kanë bërë të ditur se do të ketë ndryshime në program dhe në datën e mbajtjes së kësaj ngjarjeje. Ky njoftim është publikuar pas reagimeve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe konkluzioneve të nxjerra në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ditë më parë përmes një reagimi kanë shprehur “shqetësimin dhe indinjatën më të thellë për organizimin e një koncerti më 5 maj në Komunën e Dragashit, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Serbia, i cili është paralajmëruar nga një grup i komunitetit goran në këtë komunë”.
“Kjo ngjarje bie ndesh me ndjenjat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me vetë dinjitetin e shtetit tonë. Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar, është Dita e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.
Gjithashtu është theksuar se “çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare”.
“Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës. I bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndalojnë organizimin e kësaj ngjarjeje në formën e paralajmëruar. Nëse organet kompetente nuk ndërmarrin masa për parandalimin e kësaj ngjarjeje, OVL e UÇK-së, SHIL dhe SHFD do të detyrohen të dalin në rrugë dhe ta ndalojnë vetë këtë aktivitet provokues”, thuhet në reagim.
Lidhur me këtë çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, i cili ka dalë me konkluzionin se ky festival nuk duhet të mbahet në formën dhe datën e propozuar.
KKSB-ja në Dragash ka vlerësuar se eventi “Arog Fest” nuk përfaqëson vlerat dhe traditat kulturore të komunitetit lokal; ngjall shqetësime të bazuara në përvojat historike të keqpërdorimit të festave për qëllime politike dhe propagandistike; planifikohet të mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Dëshmorëve, e cila është një datë me ndjeshmëri të veçantë kombëtare dhe historike për qytetarët e Komunës së Dragashit dhe mbarë Republikës së Kosovës; rrezikon të cenojë harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin social në Komunën e Dragashit; dhe qëllimi i mbajtjes së manifestimit “Arog Fest” nuk është promovimi i vlerave kulturore të komunitetit, por ka karakter profitabil.
“Për të gjitha këto arsye, KKSB-ja konkludoi se manifestimi AROG FEST nuk duhet të mbahet në formën dhe datën e propozuar, duke ftuar organizatorët që të respektojnë ndjeshmërinë historike dhe kulturore të komunitetit, si dhe të bashkëpunojnë me institucionet lokale për çdo organizim të ardhshëm i cili synon promovimin e vlerave autentike të komunitetit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.
Si rrjedhojë e këtyre reagimeve në ueb faqen e Arog Fest-it është publikuar njoftimi se programi dhe data e festivalit do të pësojnë ndryshime.
“Për shkak të rrethanave të reja, data e planifikuar për festivalin (5 maj) do të ndryshohet. Datat e reja dhe detajet e programit, përfshirë ndryshimet në listën e artistëve, do të publikohen së shpejti në faqen tonë zyrtare arogfest.com dhe në rrjetet tona sociale”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Paraprakisht është bërë e ditur se propozimi për organizimin e Arog Fest-it ka ardhur nga dëshira e sinqertë që përmes muzikës të lidhen Gora, Zhupa dhe Podgora.
“Besojmë se nuk kishte nevojë për diskutime publike apo politike, e as për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Mjaftonte një kontakt i thjeshtë me një mesazh të qartë, qoftë që data 5 maj nuk ishte e përshtatshme, ose që disa këngëtare nuk ishin të pranueshme, dhe ne do ta kishim përshtatur menjëherë programin, pasi kërkesa jonë për organizim ishte dorëzuar që më 6 mars. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e këtij festivali. /Telegrafi/






























