Kujdes, Donald Trump - kështu duket një kundërsulm global liberal

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Liberalë të të gjitha vendeve, bashkohuni! Ashtu siç fuqitë antiliberale jashtë Perëndimit po bëhen më të forta se kurrë, sulmit ndaj çdo gjëje për të cilën ne rezistojmë i janë bashkuar edhe Shtetet e Bashkuara. Përballë këtij sulmi të organizuar të nacionalistëve antiliberalë, na nevojitet një kundërsulm i vendosur nga internacionalistët liberalë. Zgjedhjet në Kanada këtë javë mund të kontribuojnë si një brigadë e fortë kalorësiake.
Një nga aspektet themelore të liberalizmit është se, nëse njerëzit duan të jetojnë mirë së bashku, në kushte lirie, pushteti gjithmonë duhet të shpërndahet, të sfidohet dhe të kontrollohet. Përballë shfaqjes së pastër dhe arrogante të forcës, qoftë nga Uashingtoni, Moska apo Pekini, ne duhet të krijojmë përqendrime kundërpeshuese të pushtetit. Në historinë e gjatë të liberalizmit, një shtyp i lirë, ligji, sindikatat, komuniteti i biznesit i ndarë nga pushteti politik, OJQ-të, institucionet që kërkojnë të vërtetën, si universitetet, rezistenca civile, organizatat shumëpalëshe dhe aleancat ndërkombëtare kanë shërbyer - përkrah politikës shumëpartiake dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme - për të kufizuar burrat që do të donin të ishin mbretër.
Në thirrjen për bashkim të të gjithëve që besojnë në lirinë e barabartë individuale, ne liberalët kemi një problem të krijuar nga vetë ne. Politikat që në mendjet e shumë njerëzve janë lidhur me liberalizmin gjatë 40 vjetëve të fundit, kanë ushqyer rezervuarët e pakënaqësisë popullore nga të cilat vazhdojnë të përfitojnë populistët nacionalistë. Neoliberalizmi, i nxitur me shpejtësi nga kapitalizmi global financiar, ka çuar në nivele pabarazie që nuk janë parë në njëqind vjetët e fundit. Një politikë identitare që synonte të korrigjonte padrejtësitë historike ndaj pakicave të caktuara, ka bërë që shumë anëtarë të tjerë të shoqërive tona - veçanërisht burrat e bardhë të klasës punëtore dhe të mesme - të ndihen të shpërfillur si nga ana kulturore, ashtu edhe nga ana ekonomike. Të dy këto qasje kanë tradhtuar premtimin qendror të liberalizmit, të përmbledhur qartë nga filozofi Ronald Dworkin si "respekt dhe kujdes i barabartë" për të gjithë.
Neoliberalizmi gjithashtu e ka kthyer demokracinë më të fuqishme të botës në diçka shumë të afërt me një oligarki. Ndarja e pasurisë private nga pushteti publik - një risi e çmuar dhe e brishtë e demokracisë liberale moderne - është përmbysur. Plutokratë të pangopur si Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg tani mbështesin pushtetin politik të Donald Trumpit, ndërkohë që ai promovon interesat e veta ekonomike dhe të miqve të tij të pasur. Me ndihmën e mediave dhe platformave që kontrollohen nga këta plutokratë, Trumpi i bind shumë amerikanë të zakonshëm se vuajtjet e tyre janë tërësisht për shkak të të huajve (emigrantëve, Kinës), ndërkohë që në realitet ato janë më së shumti për shkak të njerëzve si Musk, Bezos dhe Zuckerberg.
Kështu që duhet të luftojmë njëkohësisht në dy fronte: me armiqtë e liberalizmit dhe me problemet e krijuara nga vetë liberalizmi. Bashkimi do të jetë forcë. Nëse përpiqemi të negociojmë veçmas me ngacmuesit, qoftë në Uashington, Moskë apo Pekin, ata do të na eliminojnë një nga një.
Këto koalicione të kundërpushtetit do të përbëhen nga shtetet, por edhe nga akterë të shoqërisë civile dhe nga qytetarët aktivë. Të paktën gjysma e popullsisë së Shteteve të Bashkuara është me ne. Edhe shtetet autoritare elektorale si Turqia dhe Hungaria kanë shumë qytetarë që dëshirojnë të jenë të lirë. Shembulli më i madh në botë i internacionalizmit të zbatuar liberal, Bashkimi Evropian me 27 vende anëtare, do të jetë jetik për kundërsulmin. Po ashtu edhe demokracitë e mëdha individuale si Britania, Kanadaja, Japonia dhe Australia.
Na duhet të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht. Promovimi i tregtisë së lirë kundrejt proteksionizmit shkatërrues të Trumpit është njëra pikënisje. Megjithatë, kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë, pasi marrëveshjet e dobishme reciproke tregtare kërkojnë kohë për t’u ndërtuar. Sidoqoftë, ka disa fitore të menjëhershme të arritshme. Një marrëveshje tregtare midis BE-së dhe grupit MERCOSUR të shteteve të Amerikës Latine pret vetëm ratifikimin nga të gjitha palët përkatëse. Britania dhe BE-ja duhet të jenë më ambicioze në samitin e tyre të ardhshëm më 19 maj. BE-ja nuk ka nevojë për përfshirjen e askujt tjetër për të krijuar një hapësirë të vetme digjitale dhe tregje të bashkuara të kapitalit, as për të zhvilluar industritë e mbrojtjes evropiane, të cilat gjithashtu do të shërbenin si një nxitje ekonomike neo-kejnziane.
Platformat monopoliste dhe pasuria marramendëse e oligarkëve amerikanë përbëjnë një rrezik për të gjitha vendet e tjera. Nëse BE-ja do të ishte e gatshme të përdorte fuqinë e saj rregullatore, të koordinuar me përpjekjet e demokracive të tjera liberale, mund të bënim më shumë për t'i kufizuar ato. Por, vetëm rregullimi dhe taksimi nuk mjaftojnë.
Qoftë në Evropë, Kanada, Australi apo Japoni, e gjithë infrastruktura jonë digjitale është efektivisht amerikane. Imagjinoni që një ditë iPhone-i dhe iPad-i juaj ndalon së funksionuari, bashkë me ofruesin tuaj të hapësirave të kujtesës, Google, Amazon, Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Twitter (apo X-itter). Çfarë do të mbetej? TikTok-u! “Dhe Bluesky”, mund të shtoni, duke përmendur platformën e preferuar sociale liberale. Por, edhe ajo është amerikane. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturën. Ka të bëjë me mënyrën se e si krijojmë sferën publike digjitale, e cila është thelbësore për të ardhmen e demokracisë liberale.
Nismat e shoqërisë civile gjithashtu mund të ndihmojnë. Pse, për shembull, nuk kemi parë ende një deklaratë madhore solidariteti me universitetet amerikane, që janë nën presion, nga universitetet në mbarë botën liberale?
Po ashtu, mund të ndihmojnë protestat e konsumatorëve. Ndikimi i një bojkoti kryesisht spontan të makinave Tesla po e shtyn Muskun të kthehet në aktivitetin e tij të biznesit, duke shkurtuar kohën e lirë që ai mund të kalojë duke dëmtuar shtetin administrativ të vendit të vet. Kanadezët tani kanë aplikacionin BuyBeaver në telefonat e vet, që u ndihmon që të shmangin blerjen e produkteve të prodhuara në ShBA. (Shpresoj të bojkotojnë edhe ato ruse.)
Gjithashtu është çështje e stilit të luftës. Nacionalistët antiliberalë përdorin shkopin, ne përdorim shpatëzën. Kur ata bien poshtë, ne ngjitemi lart. Kur ata bëhen të dhunshëm, ne qëndrojmë të qetë. Kur ata paturpësisht gënjejnë, ne qëndrojmë me faktet.
Në politikën e jashtme, sfida më urgjente është të shpëtojmë Ukrainën, të cilën Trumpi po e flijon. Fakti që ai po i shtyn ukrainasit të heqin dorë edhe nga pretendimi i tyre ligjor për Krimenë, si pjesë e territorit sovran ukrainas, tregon se mbështetja ndaj Ukrainës është tani thelbësore për mbrojtjen e parimeve fondamentale të rendit ndërkombëtar liberal.
Ajo që do të dalë pas këtij uragani nuk do të jetë njëjtë si më parë. Do të transformohet si nga mësimet që do të nxjerrim nga gabimet tona për të rindërtuar më mirë, ashtu edhe nga ndikimi revolucionar i Trumpit. Një konstelacion liberal-demokratik që nuk mbështetet në mënyrë themelore te “leviatani liberal” amerikan, sipas shprehjes goditëse të studiuesit të Prinstonit, John Ikenberry, do të jetë diçka shumë e ndryshme nga ajo që njohëm midis viteve 1945 dhe 2025.
Edhe gjeografia do të ndryshojë. Kanadaja, për shembull, e cila dikur dukej - në mënyrën më të këndshme të mundshme - disi periferike në çështjet botërore, e strehuar rehatshëm mes një Amerike miqësore dhe një Arktiku të ngrirë, tani papritmas duket si një shtet në vijën e parë të frontit. Një nga shtetet më liberale të botës, krahas Ukrainës, është një nga më të kërcënuarit drejtpërdrejt nga sulmi antiliberal i Trumpit. Dhe, shkrirja e Arktikut po e kthen atë në një teatër të ri madhor të konkurrencës ndërkombëtare. Për fat të mirë, duket se Kanadaja do të ketë një qeveri që nuk është vetëm liberale në emër, por edhe natyrshëm luftarake liberale.
Një çerek shekulli më parë, kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan nga terroristët islamikë më 11 shtator 2001, redaktori i gazetës Le Monde shkroi një titull të famshëm në faqen e parë: “Të gjithë jemi amerikanë”! Sot, miqtë e lirisë në mbarë botën duhet të thonë: “Të gjithë jemi kanadezë”!


















































