Mirela Oktrova
Sa herë që vjen tetori dhe gjermanët festojnë Ditën e Ribashkimit, gjithnjë më kujtohet një prej eksponateve më domethënëse të Muzeut Historik Federal – vendimi i administratës së kohës për shpërnguljen e kryeqytetit në Bon dhe vërejtja përmbyllëse për vlefshmërinë e aktit “deri në rikthimin e tij në Berlin”… Fjalë shprese dhe vendosmërie në çastet më të rënda të disfatës kombëtare – vullnet dhe besim për t’u ringritur edhe në pikën më të ulët të rrëzimit… .
Historia gjermane është një trajektore e vërtetë energjish ndryshimi: nga shtetformimi te lufta – nga faji kolektiv në pësim kolektiv – nga ndarja tek izolimi – nga mbytja drejt frymëmarrjes – nga sforcimi drejt afirmimit… Vallë vetëm fat kombëtar dhe histori unike?
Përballë një historie të tillë, si rrallë komb a popull tjetër, neve shqiptarëve na duket se prekim me dorë jo pak nga të vërtetat tona: nga shtetformimi te copëtimi – nga pamundësia për vendimmarrje te pamundësia për t’u mbrojtur – nga izolimi te vërshimi – nga diplomacia e pranimit te diplomacia e integrimit… Përkim i rastësishëm fatesh historikë apo mësime të përbotshme?
Para së gjithash një histori, që i vlen gjithë botës – që gjithsesi e ka brenda saj… .
***
Që prej themelimit të tij nga Oto von Bismark (1871), pozita gjeografike, numri i popullsisë dhe para së gjithash fuqia e shtetit unik gjerman shiheshin si rrezik. Bismarku tentoi zbutjen e perceptimit me politika kontribuuese në stabilizimin e rendit europian, po shkarkimi i tij nga Kajzer Vilhelm II (1890) forcoi prirjen e krahun nacionalisto-militarist për faktorizim ndërkombëtar të kombit gjerman. Humbja e luftës, revolucioni i vitit 1918 dhe krijimi i Republikës së Vajmarit ofruan një mundësi të re, po ajo u rihumb. Marrëveshja e Versajës e shpalli Gjermaninë fajtoren e vetme të Luftës I Botërore, çka së bashku me efektin e reparacioneve të larta, ndezi protesta, që e mbytën qeverinë demokratike gjermane, që ratifikoi Versajën. Emërimi i Hitlerit kancelar i dha fund jo vetëm ëndrrës gjermane për demokraci, por edhe projektit gjeostrategjik të fuqive të mëdha për një Europë me Gjermani të dobët. Katastrofa e Luftës II Botërore e bindi botën, se ndërsa fuqia politike, shkencore dhe ushtarake përbënte kërcënim për fqinjët, filozofia gjermane e qeverisjes prodhonte totalitarizëm. Ndaj mbytja e potencialit gjerman, nga Fuqitë e Mëdha synonte të shpëtonte Europën nga gjermanët, po dhe gjermanët nga vetvetja. Në Teheran (Dhjetor 1943), Ruzvelt propozoi ndarjen e Gjermanisë në pesë shtete dhe dy krahina. Çërçill dhe Stalini ranë dakord, po në Jaltë (Shkurt 1945) ndryshuan qëndrim: britanikët i shqetësonte ekuilibri europian, i kërcënuar nga BS, ndërsa Stalini shpresonte pushtim tërësor. Ndarja e Gjermanisë, më shumë se pasojë e Luftës II Botërore, ishte produkt i Luftës së Ftohtë. Ekuilibri i fuqisë dhe status quo-ja e lidhur me të e bën “çështjen gjermane” peng të lojës gjeostrategjike të superfuqive.
Përmes kufirit gjermano-gjerman u arratisën për dy vjet afro 3,5 milionë vetë. Statusi i veçantë i Berlinit, si “porta për në Perëndim” prodhoi idenë e Murit! Ndonëse u informuan nga shërbimet e tyre të fshehta, Aleatët u befasuan si nga shpejtësia ashtu edhe nga përmasat e tij “drastike”. Përpara se ministrat e jashtëm të tri Fuqive të Mëdha të takoheshin në Paris, për t’u konsultuar rreth situatës në Berlin, përfaqësuesit e lartë të Traktatit të Varshavës miratuan në Moskë (3-5 gusht 1961) “kontroll efektiv të kufirit në Berlinin Perëndimor”, ndërsa Hrushovi rritjen e pranisë sovjetike në kufijtë perëndimorë. Më 11 gusht autoritetet e RDGJ autorizuan zbatimin e operacionit. Në natën midis 12 dhe 13 gushtit trupat e Armatës Popullore, 5000 forca të Policisë së Kufirit, 5000 trupa të Policisë Popullore dhe 4500 paraushtarakë mbyllën rrugët drejt Berlinit Perëndimor. 20 orë më pas në kufi u shfaqën patrullat ushtarake. Pas 40 orësh komanda sovjetike iu përgjigj ultimatumit të Perëndimit, se s’kishte ndërmend të prekte Berlinin perëndimor. Meqë status quo-ja s’u prek, muri u pa si “e drejtë” e Lindjes për të kufizuar arratisjet dhe si forcim i perdes së hekurt, që ndante kampet e “luftës së Ftohtë”. Muri çimentoi ekzistencën e RDGJ. Ai u bë paterica e dytë e një shteti konvencion-deri atëherë derivat i rolit të vëllait të madh sovjetik në botë. RDGJ zuri të ndihej më e fortë si brenda ashtu edhe jashtë.
Muri mbeti për shumë kohë – simbol i vdekjes dhe ndarjes, po as varrezat dhe as ekzekutimet nuk e thyen dot ëndrrën e lirisë. Kur dobësimi politiko-ekonomik i Lindjes u hapi rrugë thirrjeve për pluralizëm dhe Mihail Gorbaçov u njohu shteteve satelite të drejtën e vetëvendosjes, themelet e RDGJ u tronditën dhe jubileu i saj i katërt përfundoi në fiasko. Më 8 gusht 1989 në ambasadën e RFGJ në Berlinin Lindor hynë 130 qytetarë lindorë. Në përudhën gusht-tetor 1989 në ambasadat e RFGJ në Budapest, Pragë dhe Varshavë u strehuan mijëra azilantë politikë. Pas bisedimeve me BS dhe RDGJ, më 30 shtator ministri i atëhershëm gjerman i punëve të Jashtme, Hans Dietrich Genscher, shpalli lejimin e hyrjes në RFGJ të 6000 refugjatëve gjermano-lindorë të strehuar në ambasadën e RFGJ në Pragë. Më 3 nëntor, RDGJ u detyrua të lejojë lëvizjen e qytetarëve të vet drejt Perëndimit përmes kufirit çek. Për dy ditë ikën 15 000 vetë. Edhe përmes Hungarisë. Më 9 Nëntor, kur ra Muri, shifra arriti në 200 000 vetë.
Me reformimin e BS dhe rënien e Murit të Berlinit ranë edhe arsyet e ekzistencës së shtetit të RDGJ. Çështja gjermane doli sërish në rend të ditës. Në shkurt 1990 katër fuqitë e mëdha dhe përfaqësuesit e dy shteteve gjermane ranë dakord për ribashkimin. Ende pa përfunduar negociatat, Kuvendi i RDGJ shpalli hyrjen e vendit nën ligjshmërinë e RFGJ, duke filluar nga data 3 tetor 1990. Natën e 3 tetorit 1990 mijëra gjermanë festuan në Berlin fundin e ndarjes 45-vjeçare. Të nesërmen 663 deputetë të lindjes dhe perëndimit u mblodhën në seancën e parë të Bundestagut të bashkuar gjerman. Zgjedhjet e para të lira mbarë-gjermane që prej vitit 1932 nxorën fitues koalicionin kristiandemokrat-kristiansocial, CDU-CSU. Helmut Kohl, strategu i ribashkimit, u zgjodh kancelari i parë i Gjermanisë së bashkuar.
***
Historia e “çështjes gjermane” nuk alarmon vetëm për fuqinë kombshkatërruese të totalitarizmit!
Me gjithë tendencën e përgjithshme drejt globalizmit, integrimit dhe bashkëpunimit, bota s’ka pushuar ende së penguari veten në mure. Ne si komb – akoma më shumë. Jeta dhe komunikimi ynë i përditshëm është i mbushur me jo pak të tillë: mure që shihen dhe mure që s’ka nevojë të ngrihen, mure të trashëguara dhe mure të imagjinuara. Kufiri, që dikur ndau botën, sot na ndan nga njëri-tjetri.
Ashtu si gjermanëve edhe ne shqiptarëve, na ka mësuar jeta, se ku ka MUR – ka ndarje, ku ka ndarje ka zhgënjime, ka frikëra, pengje, varre… Historia jonë e mbushur me mure dhe kulla, mbyllur me kufij dhe bunkerë, rrethuar me male dhe prita, na ka mësuar të dallojmë muret mbrojtëse nga muret mbytëse.
Po mësimet e MURIT i kapërcejnë kufijtë e kombit dhe rajonit tonë. Në një botë, ku të gjithë tentojnë drejt njëri-tjetrit, ku bashkëjetesa është nevojë dhe bashkëpunimi garanci, të vetmet mure, që justifikojnë vetveten, janë muret që bien. Edhe në komunikimin e thjeshtë me njëri-tjetrin…
Shekulli XX arriti t’i korrigjonte gabimet e fillimit të vet.
Shekulli XXI nuk jetohet dot duke shpërfillur mësimet e paraardhësit.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Nis numërimi i votave nga jashtë, mbi 15 mijë fletëvotime pritet të numërohen

"Alarmohet" Vuçiq, thërret seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë - pas vendimit për Dodikun

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Bien 'drastikisht' vlerat e kriptovalutave - pse po ndodh kjo?

Zbulohet identiteti i gruas së dytë të Feros - ka një ngjashmëri të madhe me Arbenitën

Videoja e cila po shpërndahet me të madhe, Egli Tako pranon se po merr antidepresantë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 4

Real Madridi po përgatit një ofertë të madhe për transferimin e yllit të PSG-së

E dashura e re e yllit të Real Madridit, dikur pjesë e faqeve 'online' për eskorta? Jude Bellingham në qendër të vëmendjes për lidhjen e tij të re

Guardiola rikthehet për yllin e Real Madridit: Man City i gatshëm për ofertë 150 milionëshe