Kryetari i Skenderajt kërkon nga Krasniqi shkarkimin e dy anëtarëve të PDK-së nga KQZ

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka reaguar sot në lidhje me sjelljen e dy anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shkarkimin e tyre nga KQZ.
Në një reagim në Facebook, Nura thekson se anëtarët e PDK-së në KQZ përfaqësojnë partinë në tërësi, dhe prandaj sjellja e tyre duhet të jetë në përputhje me interesat dhe qëndrimet politike të partisë, transmeton Telegrafi.
Ai shprehu keqardhje për veprimet e dy përfaqësuesve aktualë, të cilët sipas tij, nuk kanë arritur të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet e partisë gjatë mbledhjeve të KQZ-së, duke mos reaguar ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
"Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përfaqësojnë Partinë Demokratike të Kosovës në tërësi. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë", thuhet në reagimin e tyre.
Ai shtoi tutje se "Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë".
"Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja. Për këto arsye, kërkojmë nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha Nura. /Telegrafi/


















































