Komuna e Malishevës po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit.

Si pasojë e situatës, Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ndodhet në terren bashkë me ekipet emergjente, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.


“Që nga orët e mesnatës, jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, tha Kastrati.

Ai bëri të ditur se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme, duke vështirësuar jetesën e shumë familjeve.

“Fatkeqësisht, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha, dhe për këtë shpreh keqardhjen time më të thellë dhe solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët e prekur”, shtoi Kastrati.

Kryetari falënderoi gjithashtu ekipet emergjente, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe vullnetarët për përkushtimin e tyre.

“Dua të falënderoj të gjitha ekipet, të cilët pa u lodhur, në kushte të vështira dhe me profesionalizëm të lartë, janë duke punuar pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës aty ku ka nevojë”, tha ai.

Ai apeloi te qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

“Komuna e Malishevës do të vazhdojë të jetë në gatishmëri të plotë derisa situata të stabilizohet dhe më pas do të angazhohemi maksimalisht për vlerësimin e dëmeve dhe përkrahjen e familjeve të prekura”, përfundoi Kastrati. /Telegrafi/