Kryetari Hyseni pret presidenten Osmani – vizita në biznese dhe institucione të ndryshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, qëndroi sot për vizitë zyrtare në Komunën e Gjilanit, ku u prit nga kryetari Alban Hyseni. Gjatë kësaj vizite, ata zhvilluan disa aktivitete dhe takime në institucione, biznese dhe organizata lokale.
Fillimisht, presidentja Osmani dhe kryetari Hyseni vizituan kompaninë “Interplast Trocal”, ku u njohën nga afër me proceset e prodhimit dhe kontributin e këtij biznesi në zhvillimin ekonomik të qytetit.
Kryetari Hyseni tha se bashkëbiseduan për rolin e ndërmarrjeve vendore dhe sfidat e tyre, duke falënderuar presidenten për mbështetjen dhe interesimin e treguar për projektet komunale, përcjell Telegrafi.
Më pas, ata u ndalën në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, ku ndoqën një performancë nga Kori i grave “Muza”.
Vizita vazhdoi në institucionin parashkollor “Integj”, ku u takuan me fëmijë dhe edukatore, si dhe në klubin e futbollit “Drita”, të cilin presidentja e përgëzoi për sukseset e fundit në arenën vendore dhe garat evropiane.
Presidentja Osmani e vlerësoi vizitën si të mbushur me energji dhe frymëzim, duke uruar kryetarin Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ajo tha se diskutuan për projektet që do t’i sjellin Gjilanit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja.
“Kemi kaluar çaste të paharrueshme me artistë, fëmijë dhe komunitetin sportiv. Një falënderim i veçantë për qytetin e Gjilanit për pritjen”, theksoi Osmani. /Telegrafi/


















































